Rama: Qeveria do të paguajë 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kushtet
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do të mbulojë 50% të vlerës së qirasë për studentët që plotësojnë kushtet e përcaktuara. Gjatë një deklarate, Rama tha se masa do të përfshihet në kuadër të ligjit për strehimin social dhe të përballueshëm, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të studentëve, veçanërisht përballë çmimeve të larta të qirave në Tiranë.
Kryeministri theksoi se nisma synon t’u vijë në ndihmë të rinjve që e kanë të vështirë të përballojnë kostot e banimit, pa rënduar financiarisht familjet e tyre.
“Ne do të nxjerrim një për një detyrat. Detyrat për ligjin për strehimin social dhe të përballueshëm, ku do na duhet edhe bashkëpunimi me ju. Është një ligj që adreson edhe problematikën e studentëve, sepse qysh në programin e Qeverisë dhe një muaj e kusur më parë, e hodhëm këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar, pa iu marr frymën prindërve, qiratë në Tiranë. Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet”, njoftoi Rama./K.C/dritare.net