Rruga drejt Botërorit 2026 nis sot. Shqipëria dhe Kosova zbulojnë kundërshtarët e parë!
Dritare.net
Duke nisur nga ora 13:00 e kësaj të enjteje, shqiptarët do jenë me sytë nga selia e FIFA-s në Zyrih të Zvicrës, aty ku do hidhet shorti play-off për të mësuar çiftet gjysmëfinale që do garojnë për një biletë në Kupën e Botës 2026.
Shqipëria dhe Kosova i mbyllën ndeshjet kualifikuese në vendet e dyta në grupet respektive dhe për rrjedhojë do garojnë për "ëndrrën amerikane". Të dyja skuadrat janë në Vazon e Tretë dhe kanë shmangur një përballje mes tyre.
Rivalët e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës në këtë pikë janë ekipet e vendosura në Vazon e Dytë: Poloni, Uells, Çeki, Sllovaki. Një nga këto katër emra do "peshkojnë" kuqezinjtë dhe një tjetër Dardanët.
Ndarja e vazove
Sa i takon ndeshjes së parë gjysmëfinale, Shqipëria do "peshkojë" një skuadër që ndodhet në Vazon e Dytë, pra një mes Polonisë, Uellsit, Çekisë apo Sllovakisë. Ndeshjen e parë tanët do e luajnë jashtë fushë, pasi ekipet e Vazos 2 kanë koeficient më të lartë në FIFA dhe kanë favorin që ta luajnë sfidën teke në shtëpi. Ndeshja, nëse koha e rregullt mbyllet në barazim, më pas i drejtohet shtesës 30 minutëshe dhe penalltive.
Ndryshe do jenë rregullat nëse Shqipëria kalon në finalen play-off. Në këtë pikë, tanët do përballeshin me një prej ekipeve të kualifikuara nga përballjet e Vazos 1 dhe asaj 4. Gjithashtu do ketë një short për ekipin që do jetë pritës, duke hequr favorin e renditjes në FIFA.
Rregullat e ndeshjeve play-off të Kupës së Botës 2026, zona UEFA
16 skuadrat e play-off-it janë të ndara në katër vazo. Dymbëdhjetë vendet e dyta të grupeve vendosen në tre vazot e para bazuar në renditjen e FIFA-s të nëntorit 2025 (Shqipëria dhe Kosova do të jenë në Vazon 3), ndërsa katër ekipet e Ligës së Kombeve do të vendosen në Vazon 4.
Për gjysmëfinalet, shorti do të përballë ekipet nga Vazo 1 me ato nga Vazo 4 dhe ekipet nga Vazo 2 me ato nga Vazo 3 (ekipet nga Vazo 1 dhe Vazo 2 do të luajnë në shtëpi për gjysmëfinale). Fituesi i ndeshjes Vazo 1-4 do të përballet më pas me fituesin e ndeshjes Vazo 2-3.
Shqipëria, kundërshtarët e mundshëm në fazën play-off
Ekipi i Sylvinhos (në Vazon 3 së bashku me Kosovën, Irlandën dhe Bosnjë Hercegovinën) do të luajë gjysmëfinalen e play-off jashtë fushe kundër njërës prej katër ekipeve të shortuara në Vazon 2: Polonia, Uellsi, Republika Çeke dhe Sllovakia.
Finalja, nëse do të arrihet nga tanët, do të luhet kundër njërës prej ekipeve fituese nga Vazo 1 ose 4. Në Vazon 1 gjenden (Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë), në Vazon 4 gjenden (Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut).
Ndarja e vazove play-off për shortin e gjysmëfinaleve të të enjtes, në zonën UEFA:
Vazo 1: Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë
Vazo 2: Poloni, Uells, Çeki, Sllovaki
Vazo 3: Irlandë, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
Vazo 4: Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut