
Emocione pafund/ Nis ndeshja Serbi–Shqipëri në Leskovac!
Dritare.net
Ka nisur pak më parë ndeshja e pritshme mes Serbisë dhe Shqipërisë në Leskovac, një përballje që pritet të vendosë shumë për kualifikimin në Botërorin 2026. Atmosfera në stadium është e tensionuar dhe e ngarkuar me emocione, duke pasur parasysh historikun dhe rivalitetin mes dy kombëtareve.
Masat e sigurisë janë maksimale: mbi 5 mijë forca policie, snajperë në çatitë përreth dhe ekspertë dronësh monitorojnë çdo lëvizje. Tifozët e të dyja skuadrave janë të vendosur në tribunat e stadiumit, duke krijuar një ambjent intensiv dhe të zhurmshëm.
Serbia kërkon të rikthehet te fitorja pas disfatës së fundit ndaj Anglisë, ndërsa Shqipëria vjen e motivuar pas pesë ndeshjeve pa humbje dhe shpreson të regjistrojë një rezultat pozitiv në një transfertë të vështirë.
Ndeshja premton të jetë një duel i fortë, ku çdo gol dhe çdo moment do të ndiqet me pasion nga tifozët në Leskovac dhe nga mijëra shqiptarë dhe serbë që po e ndjekin përmes ekranit.
Në pak minuta, futbollistët kanë marrë vendet e tyre dhe topi ka nisur lojën, një 90-minutësh që do të mbahet mend për intensitetin dhe emocionet që do të prodhojë./K.C/dritare.net

















