SPAK çon në gjykim 4 të pandehurit për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të pandehur për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka dërguar për gjykim procedimin penal ndaj Fation Bushgjokajt, Petrit Hoxhës alias Çakri, Kristë Bushgjokajt dhe Aleksandër Bushgjokajt.
Sipas SPAK, katër të pandehurit akuzohen për veprat penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”, në formën e bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, mbrëmjen e 8 korrikut 2025, Renis Dobra ishte duke udhëtuar me automjetin e tij Mercedes-Benz në zonën pranë “Urës së Matit”. Pas tij dyshohet se ka lëvizur një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha alias Çakri dhe Kristë Bushgjokaj.
Sipas SPAK, ata kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, tip Range Rover.
Rreth orës 21:58, Range Rover-i dyshohet se i ka bllokuar rrugën 23-vjeçarit. Renis Dobra është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe është futur në Range Rover, nën dhunën e autorëve, sipas akuzës.
Më pas, të tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. SPAK pretendon se gjatë këtij itinerari i riu është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo dinamikë mbështetet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, dyshohet se është hedhur më pas në ujërat e liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen e ngjarjes dhe zhdukjen e provave.
Një rol të rëndësishëm në hetim kanë luajtur kamerat e sigurisë, të dhënat GPS të automjeteve me qira, tabulatet telefonike dhe të dhënat e nxjerra nga pajisjet telefonike.
SPAK thotë se pas analizimit të këtyre provave është arritur në përfundimin se rrëmbimi dhe vrasja kanë qenë pjesë e një plani të strukturuar dhe të koordinuar.
Katër të pandehurit ndodhen aktualisht në masën e sigurimit “arrest në burg”.
Renis Dobra, 23 vjeç, u rrëmbye mbrëmjen e 8 korrikut 2025 në zonën e Matit. Të nesërmen, trupi i tij u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte kishte përfunduar në ujë.
Me dërgimin e kërkesës për gjykim nga SPAK, çështja kalon tashmë në një fazë të re procedurale dhe do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të shqyrtojë akuzat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria./dritare.net