Na ndiqni edhe në

Opinione

Skënder Minxhozi: Banalizimi i protestës dhe elita e vjetër politike - Shqiptarja.com

Nga Skënder Minxhozi

Që një politikan të qëndrojë tre dekada e gjysëm në majë të politikës aktive e më pas të bëjë një udhetim në SHBA e të thotë “u rinova, fillojmë nga e para”, kjo është një ironi e hidhur e dëshpëruese, fryt dhe produkt i një ambjenti pa rregulla e semaforë si Shqipëria. Udhëtimi i fundit i Sali Berishës në Amerikë është kthyer në një objekt humori, më shumë sesa në një mision të pamundur rikthimi. Megjithatë brenda kësaj fabule që të bën të qeshësh ka diçka serioze, e cila prek fenomenin e jo vetëm ngjarjen konkrete.

Kemi thënë deri në lodhje gjatë tranzicionit se në këtë vend asgjë nuk zhduket, por vetëm riciklohet. I përshtaten kësaj logjike të gjithë liderët e partive politike aktuale, duke nisur nga Sali Berisha, Ilir Meta e Fatmir Mediu (plus një gjysëm dyzine krerësh partish më të vogla), për të vijuar me Edi Ramën i cili hyri në politikë nja shtatë vjet pas tyre.

Elita politike e sotme e ka bërë kohën e saj dhe po jep shenja serioze plakjeje, aq sa edhe një politikan kompleks si Fatos Nano sot kujtohet më së pari për vullnetin për t’u dorëhequr nga postet e larta që mbante në momente të caktuara. Akte emancipuese të cilat nuk krijuan dot një kulturë të konsoliduar brenda klasës drejtuese shqiptare.

Sot asistojmë madje në fenomenin e kundërt me atë të heqjes dorë nga karriera. Shohim relativizim të partive në favor të konsolidimit dhe blindimit të postit të drejtuesit të partisë. Forumet partiake janë zbehur, demokracia e brendshme në parti është kthyer në një sport të rrezikshëm për atë që e tenton dhe figura e liderit është i vetmi far ndriçues që tregon rrugën. Një fushë me fidanësh luledielli që ndjekin lëvizjen e lëmshit të zjarrtë në qiell, ja ç’janë partitë tona politike sot.

Ky lexim është tashmë i lehtë për t’u bërë. Është një kohë e gjatë e jetuar nga miliona shqiptarë gjatë tranzicionit. Një tunel që në vitet ’90 kujtuam se ishte i shkurtër, por që me hidhërim konstatojmë se paska qenë më i gjatë se tuneli i La Manshit.

Në këtë mjedis një protestë qytetare që do të kontestonte këtë realitet të bllokuar, do të ishte e mirëpritur si një shkulm ajri i freskët në një dhomë me dritare të mbyllura. Një qëllim parimisht i kuptueshëm dhe normal për një vend që ka trokitur në dyert e Evropës, në të cilën përjetësia e politikanëve është një vijë e kuqe që nuk pranohet.

Protesta e flamengove e pati dhe e ka ende formalisht këtë pretendim vizionar. Ashtu si nuk e pati dhe nuk ka më gjasa që do ta ketë në të ardhmen një formulë konkrete sesi do t’i hapë dritaret e dhomës së mbyllur të politikës shqiptare. Në vend që të kërkonte, përzgjidhte, nxiste e afronte në radhët e saj trurin, dinjitetin, emrat e papërlyer dhe politikanët e nesërm mendjehapur, kjo protestë ka rënë me kalimin e muajve në hullinë e turbullt të dhunës verbale, anarshisë, banalitetit dhe sjelljes së dhunshme. Një turmë e vogël njerëzish inatçorë e disa herë vulgarë të cilët kujtojnë se Rama rrëzohet me bikerina vezësh dhe postime në rrjetet sociale – kjo është e vetmja histori e përditshme e përsëritur e protestës dikur të madhe, të paqtë dhe po ashtu shumë të rrezikshme për elitën e vjetër drejtuese. Ata që premtuan të ardhmen nuk orientohen dot aktualisht as në të tashmen!

Kolegu Ilir Demalia pati disa ditë më parë idenë paksa aventureske, duke ditur pozicionimin e tij ndaj protestës, që të shkojë e të futet në mesin e protestuesve. I gjeti të grupuar në këmbët e zyrës së Ramës, teksa e shanin kryeministrin e vendit me fjalët më banale që njeh shqipja. Burra, gra, të rinj e të reja (me siguri edhe të mitur jo pak) dëgjonin korin e protestuesve që ulërinte duke sharë me fjalorin e një turme ultrasish në një stadium province. Demalia e “pagoi” në vend dhe pa vonesë aktin e tij, duke marrë pjesën e tij të sharjeve plot kolor, por kjo më shumë sesa për sedrat individuale që kjo turmë sharësish lëndoi, flet për degjenerimin gradual e të pandalshëm të kësaj lëvizjeje që kërkon të jetë emancipuese dhe bëhet destruktive, që kërkon të nxisë pjesëmarrjen dhe provokon largimin e braktisjen, që tenton të rrezikojë pushtetin politik dhe në fakt e konsolidon atë duke u shfaktorizuar vetë me banalitetin që rrezaton çdo ditë.

Nuk është tepri të thuash sot se një protestë të tillë në dyert e pushtetit do ta luste çdo qeveri dhe kryeministër. Një protestë që nuk të rrezikon me mllefin “kaps” dhe foklorin e saj, por që është aty si një dekor demokratik që mund ta shesësh në çdo kancelari evropiane si një provë e emancipimit të vendit!

Ndërkohë që nuk po i merr dot pushtetin, protesta po i jep Edi Ramës luksin e papritur që të miklojë sedrën e vet duke këqyrur sesi qindra veta e mallkojnë çdo ditë në dyert e zyrës, por pushkët i kanë prej druri kurse fishekët i kanë mësimorë. Nuk paska më keq se një lëvizje që niset të bëjë historinë dhe që e sheh veten si dekor të pushtetit që pretendon të rrëzojë prej 100 ditësh!/javanews