
Kryeministri Edi Rama foli për Ergys Agasin dhe raportin e tij me të, duke thënë se marrëdhëniet personale apo fotografitë me persona të ndryshëm nuk përbëjnë funksion publik dhe nuk u japin atyre të drejtën të flasin apo të veprojnë në emër të tij. Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, Rama tha se nuk ka autorizuar asnjëherë askënd të flasë apo të bëjë punët e shtetit në emrin e tij. “Në emrin tim flas vetë”, theksoi ai.
Pjesë nga intervista
Rudina Xhunga: Një pyetje për Ergys Agasin. Cila është afërsia juaj me të?
Edi Rama: Mua më kanë bërë shumë afërsi ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua, me një njeri apo tjetrin, nuk është në funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që flasin në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë njeri të flasë në emrin tim. Unë nuk kam autorizuar njeri të bëjë punët e shtetit në emrin tim. Patjetër që mua më vjen keq kur gjendem në situatën kur dikush, me të cilin kam pasur një marrëdhënie njerëzore, për një arsye a tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por ama, nga ana tjetër, jam krejtësisht i çliruar dhe pa asnjë problem, përtej keqardhjes, edhe për veten në një farë mënyre, sepse secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatët e vet.
Rudina Xhunga: Juve nuk u thoni asgjë këtyre njerëzve që flasin në emrin tuaj?
Edi Rama: Në emrin tim kush nuk flet. T’i hysh kësaj: “Pse fole në emrin tim?”, i bie të mos bësh asnjë punë tjetër. Unë mendoj që njerëzit që më njohin e dinë që në emrin tim nuk flet dot njeri. Ata që nuk më njohin dhe mendojnë se të tjerë flasin në emrin tim, më vjen keq për ta. Por të gjithë duhet ta dinë se në emrin tim unë flas vetë./dritare.net









