Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama flet për pasardhësin e PS-së: Nuk do ta zgjedh unë!

Edi Rama deklaroi se nuk ka ndërmend ta zgjedhë vetë pasardhësin e tij në krye të Partisë Socialiste. Në intervistën për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, kryeministri tha se pasardhësi apo pasardhësja duhet të dalë vetë dhe të marrë përsipër drejtimin e PS-së, ndërsa theksoi se ai synon ta përfundojë mandatin duke çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pjesë nga intervista

Edi Rama: Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Pasardhësi ose pasardhësja le të dalë dhe të marrë përsipër PS-në.

Rudina Xhunga: Nuk keni ndërmend të zgjidhni, por a keni ndërmend ta lini të vazhdojë? Sepse duket sikur çdo njeri që krijon idenë se shfaq ambicie për pasardhës, i bie rrufeja.

Edi Rama: Unë ua kam thënë, kur ka rënë biseda: Mos mendoni se kujt i vjen radha, se nuk është hapur gara. Bëjini hyzmetin karrierës suaj dhe figurës suaj duke bërë detyrën tuaj. Pastaj, kur vjen momenti i kalimit të stafetës, stafeta kalohet duke ikur dhe duke e lënë tjetrin të lirë, siç e kam ndërmend ta lë unë. Unë nuk do ta lë kurrë Partinë Socialiste. Asnjëherë. Do jem anëtar i Organizatës së Surrelit të Partisë Socialiste. Pse, unë nuk dua të bëj punë të tjera? Mezi pres të kem kohë të bëj punë të tjera, por nuk mund ta lë detyrën pa mbaruar këtë kontratë. Dhe këtë kontratë e kërkova sepse shoh derën e BE-së hapur. Dhe atë derë ne do ta kapërcejmë.

Rudina Xhunga: Vetëm me ju kapërcehet ajo derë?

Edi Rama: Me mua, Partinë Socialiste dhe me këtë shumicë që është tani. Vetëm kështu. Përndryshe, askush nuk e kapërcen atë derë për një periudhë të gjatë kohe. Ata që flasin për ndryshime, rotacion, dorëheqje, largim, nuk dinë çfarë flasin në raport me këtë që them unë.

Kjo që them unë lidhet me një vrap kundër orës, sepse ne duhet të vazhdojmë çdo javë të raportojmë atje për detyrat tona./dritare.net