Sazani dhe Zvërneci/ Rama: Dy projekte të ndryshme! Me Trump nuk kam folur kurrë
Dritare.net

Në intervistën për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, kryeministri Edi Rama foli për modelin e turizmit që, sipas tij, duhet të ndjekë Shqipëria në 10 vitet e ardhshme. Rama tha se vendit nuk i duhet vetëm një turizëm që sjell numër të madh vizitorësh, por “turizëm i vlerës”, që gjeneron më shumë të ardhura. Duke u ndalur te Sazani dhe Zvërneci, ai sqaroi se janë dy projekte të ndryshme, se në Sazan do të ndërtohet vetëm në 8% të sipërfaqes së ishullit dhe se negociatat me investitorët vijojnë ende. Rama tha gjithashtu se nuk ka folur asnjëherë me Donald Trump për projektin.
Ja çfarë tha Rama!
“Ne kemi një sfidë të madhe strategjike: çfarë Shqipërie duam në 10 vitet e ardhshme dhe çfarë turizmi duam ne në 10 vitet e ardhshme. Flitet shumë këtu për turizmin elitar, unë do ta quaja turizmi i vlerës. Sot ne kemi një turizëm që krijon numra, por na duhet turizmi i vlerës. Një super-jaht nuk është një i pasur që vjen në det. Është një shpenzim shumë më i lartë për një natë. 10 mijë vizitorë me buxhet të ulët krijojnë një volum, por krijojnë presion të madh mbi sistemin e shërbimeve, mbi trafikun, mbi nevojën për të mbledhur mbetjet.
Ndërkohë që 100 jahte sjellin shumë më tepër të ardhura sesa 10 mijë vizitorë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Turizmi i vlerës nuk është gardh që ndan të pasurit me pjesën tjetër të shoqërisë. 1 miliard të investuara brenda perimetrit të një resorti nuk është një zhvillim aty brenda, por një burim të ardhurash për çfarë ndodh jashtë.
Sazani dhe Zvërneci janë dy projekte të ndryshme. Të njëjtët investitorë, por dy projekte të ndryshme. Janë dy prona të ndryshme. Sazani është pronë shtetërore, Zvërneci është pronë private. Në Zvërnec po punonte kompania e cila, sipas ligjit dhe bazuar në procedurën e dhënies së një lejeje paraprake, merr të drejtën e vendosjes së rrethimit.
Në Sazan kanë nisur negociata. Ishulli është 560 hektarë dhe diskutojnë vetëm për 8%, sepse ne kemi vënë kufizime. Sipërfaqja e ndërtueshme është 8%, pra rreth 45 hektarë. Pra, një hartë prone nuk është hartë ndërtimi.
S’kam folur kurrë me Trump për këtë projekt. Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disavjeçare. Jemi sot në pritje të një projekt-propozimi, pasi ne kemi refuzuar projektet e mëparshme. E para një herë, s’ka si të ketë shitje. Sazani është nën negociata, prej vitesh. Ne negociojmë me palën tjetër, për si do të ndërtohet bashkëpunimi me Sazanin, ne i kemi vënë disa kufij, Sazanin nuk kanë kërkuar asnjëherë ta blejnë. Nuk ka asnjë kontratë sot që flasim, ka vetëm negociata. Sazani nuk është një thesar që ka kontabilitet, është një territor i cili është shumë i bukur por edhe problematik. Sazani është zonë e minuar, aty duhet të bëhet çminim. Në Sazan nuk ka ujë, nuk ka drita. Kjo nuk e bën Sazanin një aset të padiskutueshëm. Dua të theksoj se qoftë paraardhësi im, qoftë Fatosi, kanë dashur të sjellin investitorë, por nuk është finalizuar. Unë kam pasur qasje për Sazanin në dy raste të tjera, por nuk janë materializuar.
Ata do të bëjnë aty një destinacion eksperience. Do të ketë vila, por edhe hotele të nivelit më të lartë në botë. Cheval Blanc është një firmë që s’të vjen në Shqipëri kështu. Atlantis është hoteli i famshëm në Dubai. Është Atlantisi i parë që hyn në Evropë. Aty do të ketë edhe të tjera gjëra që lidhen me shëndetin, kalërimin. Ne jemi duke punuar për një investim të rëndësishëm shëndetësie në Vlorë. Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disavjeçare dhe faktikisht sot jemi në pritje të një projekti, pasi ne kemi refuzuar projektin e parë. Ne presim që të vijë projekti për Zvërnecin, ndërkohë për Sazanin nuk kemi mbaruar akoma negociatat, sepse Zvërneci është privat dhe Sazani është tokë shtetërore dhe do të mbetet shtetërore.”, shpjegoi Rama./K.C/dritare.net




