
Edi Rama, në intervistën për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, tregon si ishte në adoleshencë dhe cili ishte tipari që, sipas tij, e karakterizonte që në atë kohë.
Kush ishte Edi Rama adoleshent?
“Nëse do të kthehesha në atë kohë për të gjetur një tipar që mund të paralajmëronte natyrën e liderit që unë u bëra më pas, mund të them që ishte tipari i mospranimit të kufijve.
Unë, që fare i vogël, nuk i pranoja kufijtë si imponim apo si fat. Përpiqesha gjithmonë t’i shkelja, t’i shtyja. Gjithmonë të bëja diçka që kufiri thoshte: ‘Mos e bëj’. Dhe refuzimi i kufijve, shtyrja e kufijve, më ka motivuar gjithë jetën time, qoftë në mënyrën e të jetuarit, qoftë në Akademinë e Arteve.
Jam përpjekur qysh në krye të herës, që para se të fillonte lëvizja në Akademi, që pastaj përcaktoi një drejtim për atë që u kthye në një lëvizje më të gjerë, me programet, me rregullat që duheshin respektuar.
Në një nga episodet e asaj kohe, në atelier, me shokët bënim në pikturë një model që kishte një sfond të vetin dhe ramë dakord me pesë shokët që do ta bënim sfondin secili me një ngjyrë tjetër dhe, kur të vinte profesori, t’i thoshim që ishte ajo që shikonim.
Kështu ndodhi. Ai ishte një mur i lyer me gëlqere, i bërë pis. Njëri e bëri të verdhë, njëri blu, njëri jeshil, njëri të kuq. Edhe vjen profesori dhe skandalizohet: ‘Çfarë është kjo?’. Ne të gjithë, në llojin e budallait, i themi: ‘Ja, ajo që është, që shoh atje’.
Kjo ‘ashtu e shoh’ ishte një herezi e madhe për atë kohë. Kështu që shtyrja e kufijve, refuzimi i kufijve të imponuar, ishte tipari që më karakterizonte.”, tregon kryeministri Rama./dritare.net