Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edi Rama: E meta që i njoh vetes!

Edi Rama: E meta që i njoh vetes!

A është Edi Rama një njeri që kërkon të kontrollojë gjithçka rreth tij? Në intervistën maratonë për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, kryeministri iu përgjigj perceptimit se kërkon të ketë nën kontroll njerëzit dhe gjithçka që ndodh rreth tij. Rama e cilësoi këtë një “lexim shabllon” të profilit të tij publik dhe tha se , një nga dobësitë e tij është besimi i madh te njerëzit.

Pjesë nga intervista!

Rudina Xhunga: Po dëshirën për kontroll, e kishit atëherë? Në kuptimin që jeni tani. Jeni një njeri që doni të kontrolloni çdo gjë: tavolinën, studion, njerëzit.

Edi Rama: Dëshira për kontroll mendoj që është një lexim shabllon. Është një mënyrë për ta përcaktuar, si të thuash, atë profilin tim publik, duke e ushqyer nga motive të ndryshme. Unë, për fat të mirë në disa drejtime dhe për fat të keq në disa drejtime të tjera, e kam një nga dobësitë e mia që nuk jam një njeri që nxitem të kontrolloj.

Fjala vjen, unë kam dëshmitarë drejtorët e shërbimeve inteligjente. Kam punuar me tre drejtorë të Shërbimit Sekret Shqiptar: me Visho Ajazin, me Helidon Bendon që e zëvendësoi dhe më pas, tani, me Vlora Hysenin. Dhe të tre mund të dëshmojnë që procesin e raportimit dhe të bashkëbisedimit me drejtuesit e shërbimit e kisha thuajse plotësisht të deleguar te drejtoria e kabinetit dhe merrja vetëm informacione shumë të rezervuara dhe shumë speciale, që kishin të bënin me aleatët dhe aleancat tona. Për pjesën tjetër kam qenë jashtëzakonisht neglizhent, për shkak se nuk e kam këtë. Unë besoj shumë te njerëzit. Jam rritur gjithmonë me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime, e cila ishte njeriu me të cilin unë isha shumë afër që i vogël. Ajo ishte një katolike, kështu, nga ato praktikantet, edhe në atë kohë kur feja ishte ndaluar, me atë shprehjen e famshme: “Ti preke dhe besove, po lum ai që besoi pa prekur.”

Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues. Kam pasur, në mënyrë të veçantë, një bashkudhëtar për një kohë të caktuar rruge, që ishte një njeri, është akoma, po tani jo bashkudhëtar.Dhe gjithmonë kam besuar që të dyshosh tek të tjerët, të jetosh me dyshime, është një kosto shumë e madhe për ty. Por nganjëherë them që duhet, sepse pastaj, kur ti ke përgjegjësi karshi të tjerëve, besimi i tepërt të kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët.", tregon Rama./dritare.net