Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

iPhone-i ndryshon pas gati 20 vitesh! Apple prezanton telefonin e parë që paloset

Apple ka prezantuar iPhone-in e saj të parë të palosshëm, duke sjellë ndryshimin më të madh në dizajnin e telefonit të kompanisë që prej daljes së iPhone-it të parë në vitin 2007. Modeli i ri quhet “iPhone Duo” dhe çmimi i tij nis nga 1,999 dollarë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Britani nga 1,999 paund.

Prezantimi shënon gjithashtu një nga lëvizjet e para të mëdha të drejtuesit të ri të Apple, John Ternus, i cili këtë muaj mori drejtimin e kompanisë pas largimit të Tim Cook. Për Ternus, iPhone Duo konsiderohet një bast i rëndësishëm, pasi Apple hyn relativisht vonë në tregun e telefonave të palosshëm, ku kompani si Samsung dhe Huawei janë prej vitesh të pranishme.

“Kompanitë e tjera kanë krijuar telefona të palosshëm që të japin ndjesinë sikur janë thjesht dy telefona të bashkuar në mënyrë të sikletshme”, tha Ternus gjatë prezantimit në selinë e Apple në Kaliforni. Sipas tij, iPhone Duo synon të “ripërcaktojë përvojën e përdorimit të një telefoni të palosshëm”.

Kur hapet plotësisht, pajisja ngjan me një iPad të vogël, ndërsa e palosur merr përmasat e një iPhone-i më të gjerë. “Është krejtësisht i ri dhe, në të njëjtën kohë, jashtëzakonisht familjar. Me përmasa të ngjashme me një pasaportë, është i rehatshëm për t'u mbajtur dhe përdorur me një dorë”, tha drejtuesi i Apple. Zhvillimi i pajisjes ka zgjatur tetë vjet dhe vetë Ternus ka qenë i përfshirë në këtë proces gjatë kohës kur drejtonte sektorin e pajisjeve të kompanisë.

Megjithatë, çmimi pritet të jetë një nga pengesat kryesore. Në SHBA, iPhone Duo nis nga 1,999 dollarë, ndërsa versionet më të shtrenjta mund të arrijnë deri në 3,200 dollarë. Analistët paralajmërojnë se pajisja mund të mbetet një produkt luksi për një numër të kufizuar konsumatorësh, veçanërisht duke pasur parasysh se telefonat e palosshëm aktualisht përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shitjeve globale të smartfonëve.

Sfida tjetër e madhe për Apple është konkurrenca, veçanërisht në Kinë. Sipas analistit Francisco Jeronimo, Huawei kontrollon rreth 80% të tregut të telefonave të palosshëm në këtë vend. Analistët vlerësojnë se hyrja e Apple mund të rrisë interesin për këtë kategori pajisjesh, por nuk pritet që telefonat e palosshëm të bëhen dominues në treg në të ardhmen e afërt.

Krahas iPhone Duo, Apple prezantoi edhe iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max, me çmime që në SHBA nisin përkatësisht nga 1,199 dhe 1,299 dollarë. Kompania dha gjithashtu detaje të reja për Siri AI, versionin e ri të asistentit të saj, i cili do të mund të përdorë informacione nga mesazhet dhe emailet e përdoruesit për t'iu përgjigjur pyetjeve dhe për të kryer veprime në emër të tij.

Apple premton se të dhënat personale do të mbeten private dhe se një pjesë e funksioneve të inteligjencës artificiale do të kryhen drejtpërdrejt në pajisje. “Të tjerët i shohin këto të dhëna si diçka për t'u mbledhur dhe ruajtur. Këtu, as Apple nuk mund të ketë akses në atë që është e juaja”, deklaroi Ternus./dritare.net