Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Kush do të nxisë urrejtje kundër izraelitëve

Kryeministri Edi Rama në intervistën maratonë me 300 pyetje nga gazetarja Rudina Xhunga, ka folur për protestat kundër projektit në Zvërnec dhe debatet që e kanë shoqëruar atë, duke vënë në fokus edhe atë që e cilësoi si përpjekje për të nxitur urrejtje ndaj Izraelit.

Rama tha se pretendimet se Katari mund të investojë në një projekt që do ta kthente Zvërnecin në një “enklavë të Izraelit” apo se palestinezët do të zhvendoseshin në Shqipëri, janë të pavërteta.

Sipas tij, këto pretendime synojnë të nxisin përçarje dhe urrejtje mes shqiptarëve, por edhe ndaj izraelitëve.

“Duan të nxisin urrejtje, duan të nxisin përçarje, jo ndaj meje. Unë në këtë rast jam thjesht dhe vetëm një digë që duhet shembur. Por në ndërkohë urrejtje mes shqiptarëve dhe kundër izraelitëve.”

Rama e cilësoi këtë si një çështje të rëndë, duke kujtuar rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo është diçka e tmerrshme për shkak se është të pështysh mbi varret e të gjithë atyre shqiptarëve myslimanë në radhë të parë, e pastaj edhe të krishterë, që e bënë Shqipërinë vendin që doli me nder nga një Luftë e Dytë Botërore, ku të gjithë dolën me kokën ulur në raport me hebrenjtë, dhe ku falë myslimanëve dhe shqiptarëve në radhë të parë, këtu shpëtuan të gjithë hebrenjtë.”

Kryeministri theksoi se kritikat ndaj politikave të Izraelit janë të ndryshme nga marrëdhënia mes Shqipërisë dhe shtetit izraelit.

“Mund të jesh komplet kundër politikës në Izrael, por politika në Izrael shkon e vjen, marrëdhënia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë me Izraelin është po kaq e rëndësishme sa marrëdhënia me vendet arabe.”

Rama tha gjithashtu se marrëdhëniet me vendet arabe dhe me Izraelin janë ndërtuar mbi përpjekje dhe një vizion strategjik.

Duke folur për protestën, kryeministri pranoi se krahas pretendimeve që ai i konsideron të rreme, qytetarët kanë edhe shqetësime që sipas tij janë legjitime, veçanërisht për pronën, transparencën, ndikimin mjedisor dhe aksesin publik.

“Ne kemi detyrë që të luftojmë gënjeshtrën, por të mos shpallim armik çdo pikëpyetje, sepse nuk është e vërtetë.”

Rama e lidhi përhapjen e pretendimeve në rrjetet sociale edhe me atë që e cilësoi si ndikim të algoritmeve, duke argumentuar se ekzistonte një hendek mes fakteve që dispononte qeveria dhe mënyrës se si qytetarët e përjetonin projektin.

Sipas tij, pikërisht në këtë hapësirë mes “fakteve” dhe “përjetimit” hynë videot, rrjetet sociale dhe pretendimet që nxitën shqetësimin publik.