Certifikata për 88 nxënësit fitues, Rama: Besojini ëndrrës, mos u dorëzoni kurrë!
Dritare.net

88 nxënës që kanë shkëlqyer në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare u nderuan me certifikata, ndërsa kryeministri Edi Rama u kërkoi të rinjve të vazhdojnë të synojnë lart dhe të mos lejojnë vështirësitë apo paragjykimet të vënë në dyshim aftësitë dhe suksesin e tyre.
Gjatë ceremonisë së vlerësimit, Rama tha se arritjet e këtyre nxënësve marrin një rëndësi të veçantë, pasi mes tyre ka edhe të rinj që kanë arritur rezultate të larta pavarësisht kushteve të vështira familjare, sociale apo ekonomike.
“Edhe mes jush ka fëmijë që kanë probleme në familje, që kanë prindër që mund të mos jenë në gjendje të mirë sociale apo ekonomike, që kanë kushte jo të lehta për të qenë të fokusuar tek puna e përditshme që është mësimi. Kanë të gjitha justifikimet e mundshme, nëse s’duan të mësojnë, ose nëse nuk dalin me rezultate shumë të mira, se mund t’iu referohen vështirësive dhe të ngremë duart lart. Patjetër që ka të tillë, që dorëzohen, që mjaftohen me justifikime dhe nuk bëjnë përpjekje për t’i kapërcyer ato vështirësi”, tha Rama.
Kryeministri i cilësoi 88 nxënësit si një shembull jo vetëm për bashkëmoshatarët e tyre, por për të gjithë vendin.
“Ju jeni të jashtëzakonshëm në forcën e shembullit. Ju jeni shembulli se si e gjithë Shqipëria duhet të mendojë, pavarësisht prapambetjes në disa aspekte ende objektive për shkak të historisë, të guxojë të synojë të ngjitet sa më lart dhe sa më shpejt. Ju bëni këtë pikërisht. Forca e shembullit tuaj është heroike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Të jesh hero s’do të thotë të japësh jetën në luftë me një armik, të jesh hero do të thotë të kapërcesh të gjitha pengesat që të tjerë në të njëjtat kushte nuk do guxonin as të mendonin se i kapërcejnë”, u shpreh ai.
Rama i paralajmëroi të rinjtë se, krahas suksesit, do të përballen edhe me njerëz që do të përpiqen t’ua zhvlerësojnë arritjet. Duke iu referuar Faik Konicës, ai u kërkoi të mos ndikohen nga këto zëra.
“Sa më shumë të bëni sukses, aq më të fortë do të jenë zërat që do të përpiqen t’ju thonë që suksesi juaj nuk është i vërtetë, se vlerësimi i bërë nuk është i merituar. Mos harroni që ne jemi të gjithë shqiptarë dhe, siç thoshte Konica, ‘ne jemi shumë të mirë dhe falim çdo gjë, përveç suksesit të tjetrit’”, vijoi kryeministri.
Porosia e Ramës për fituesit e olimpiadave ishte që të vazhdojnë t’u besojnë ëndrrave të tyre, edhe kur rruga nuk sjell vetëm fitore.
“Kini besim të palëkundur te vetja. Mbi të gjitha, besojini symbyllur ëndrrës që shikoni me syhapur. Jo gjithmonë gjërat do të shkojnë mirë, do të keni momente kur nuk do të jeni fitues siç jeni sot. Mos u dorëzoni kurrë, mos e tradhtoni kurrë ëndrrën që ju keni”, theksoi Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te rezultatet e PISA 2025, duke deklaruar se përmirësimi i Shqipërisë krahasuar me testimin e mëparshëm është rezultat i një pune afatgjatë në sistemin arsimor. Ai përmendi investimet në infrastrukturën shkollore, përmirësimin e teksteve, trajnimin e mësuesve, rritjen e pagave dhe ngritjen e Shkollës së Drejtorëve.
“Testi i PISA-s 2025, për mua, është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe të tatëpjeta për të transformuar arsimin, infrastrukturën e shkollave, përmbajtjen e mësimit në shkollë, duke transformuar cilësinë e teksteve, për të transformuar situatën e mësuesve dhe të mësueseve tuaja që gjithmonë kanë merituar më shumë, edhe sot meritojnë më shumë”, tha ndër të tjera Rama.
Sipas kryeministrit, pjesë e këtij procesi ka qenë edhe krijimi i kushteve që mësuesit të trajnohen dhe certifikohen, si dhe përmirësimi i cilësisë së drejtimit të shkollave./K.C/dritare.net