Protestë kundër Muzeut Hebraik, Rama: Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon
Dritare.net
Një protestë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në Vlorë u zhvillua sot në qytet, ku pati tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë. Protestuesit tentuan të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por u ndaluan nga policia.
Protestuesit kërkojnë ndalimin e projektit, duke pretenduar se muzeu po ndërtohet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, të cilën e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit.
Sipas tyre, hapësira lidhet me historinë e Pavarësisë së Shqipërisë dhe me figurën e Ismail Qemalit, ndaj kërkojnë që ajo t’i kushtohet historisë dhe identitetit kombëtar.
Protestuesit kanë deklaruar se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me komunitetin hebre apo me historinë e hebrenjve në Shqipëri, duke theksuar se një muze i tillë mund të ndërtohet në një tjetër hapësirë.
Për protestën ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar grupin e protestuesve si “delenxhinj” dhe ka akuzuar organizatorët për kundërshtim të projekteve të transformimit të Vlorës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan:
“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës - një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore - me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik.
Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë USD për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike.”/L.F-dritare.net