KPP merr në dorë ankesat për koncesionet, ja rregullat e reja!
Dritare.net

Komisioni i Prokurimit Publik merr kompetenca të reja për kontratat e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat. KPP do të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë dhe, në rast se konstaton shkelje, mund të vendosë nga pezullimi i menjëhershëm deri te shpallja absolutisht e pavlefshme e kontratës.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, operatorët ekonomikë do të kenë gjashtë muaj nga dita pas lidhjes së kontratës për të paraqitur ankesë në KPP. Me marrjen e saj, Komisioni mund të pezullojë menjëherë zbatimin e kontratës deri në vendimin përfundimtar.
Në rastet kur kontrata nuk shpallet e pavlefshme, KPP mund të shkurtojë kohëzgjatjen e saj ose të gjobisë autoritetin kontraktor. Gjoba nuk mund të jetë më e lartë se 10% e vlerës së kontratës.
Ja VKM-ja
"V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PAVLEFSHMËRINË E KONTRATAVE TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 72, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisioni i Prokurimit Publik është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat.
2. Operatorët ekonomikë kanë të drejtë të paraqesin ankesë për shqyrtimin e pavlefshmërisë së kontratës te Komisioni i Prokurimit Publik. Në çdo rast, kjo ankesë duhet të paraqitet brenda 6 (gjashtë) muajve nga e nesërmja e datës së lidhjes së kontratës.
3. Komisioni i Prokurimit Publik, me marrjen e ankesës, me vendim të ndërmjetëm, vendos pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Komisioni i Prokurimit Publik mund të lejojë autoritetin ose entin kontraktor të vazhdojë zbatimin e kontratës, nëse pezullimi mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm.
4. Komisioni i Prokurimit Publik mund të shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme, kur konstaton ekzistencën e kushteve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 72, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
5. Nëse pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve përkatëse, Komisioni i Prokurimit Publik çmon se shpallja e pavlefshmërisë absolute të kontratës mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm, vendos të mos e shpallë kontratën absolutisht të pavlefshme.
Për mosshpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës nuk konsiderohen çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm interesat ekonomikë, të lidhur drejtpërdrejt me kontratën në fjalë, si:
a) kostot për shkak të vonesave në zbatimin e kontratës;
b) kostot për shkak të shpalljes së një procedure të re koncesioni apo partneriteti publik privat;
c) kostot për shkak të ndryshimit të operatorit ekonomik, që do të zbatojë kontratën;
ç) kostot për shkak të detyrimeve ligjore si pasojë e pavlefshmërisë.
6. Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, në rastin kur nuk shpallet pavlefshmëria e kontratës, Komisioni i Prokurimit Publik vendos:
a) të shkurtojë afatin e zbatimit të kontratës;
b) dënimin me gjobë të autoritetit ose entit kontraktor për shkeljet e konstatuara, sipas këtij vendimi.
7. Gjoba vendoset në raport me vlerën e kontratës së nënshkruar, por, në çdo rast, jo më shumë se 10% e kësaj vlere.
8. Në vendosjen e masës së gjobës, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë në konsideratë disa elemente, si:
a) rrethanat në të cilat është kryer shkelja;
b) rëndësinë e shkeljes së kryer;
c) pasojat që kanë ardhur;
ç) proporcionalitetin midis dëmit të shkaktuar dhe masës së gjobës;
d) vlerën e përllogaritur të kontratës;
dh) parimet e koncesionit dhe partneritetit publik privat që janë shkelur;
e) përsëritjen e shkeljeve në raste të tjera.
9. Komisioni i Prokurimit Publik në vendim përcakton edhe afatin, brenda të cilit ky vendim duhet zbatuar.
10. Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në gjykatën përkatëse, që shqyrton mosmarrëveshjet administrative, sipas përcaktimit në nenin 66, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
11. Ngarkohet Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”."/K.C/dritare.net