Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si ti bëjmë fëmijët të hanë më shumë fruta dhe perime!

jjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjj.PNG

T’i bindësh fëmijët të hanë fruta dhe perime është një nga sfidat më të mëdha për prindërit. Preferenca për ushqimet e ëmbla krijohet që në muajt e parë të jetës, ndërsa shumë të vegjël refuzojnë të provojnë ushqime të reja. Megjithatë, studiuesit thonë se disa zakone të thjeshta mund të ndryshojnë mënyrën se si fëmijët e përjetojnë ushqimin dhe të ndikojnë pozitivisht në dietën e tyre.

Sipas ekspertëve, sekreti është ekspozimi i vazhdueshëm ndaj perimeve që në vitet e para të jetës. Edhe nëse një fëmijë refuzon një ushqim herët e para, ofrimi i tij në mënyrë të përsëritur rrit mundësinë që ai ta pranojë më vonë. Madje, studimet sugjerojnë se preferencat ushqimore mund të ndikohen që gjatë shtatzënisë nga dieta e nënës.

Një tjetër këshillë është që perimet të serviren në fillim të vaktit, kur fëmijët janë më të uritur. Në këtë mënyrë ata kanë më shumë gjasa t’i konsumojnë, përpara se të zgjedhin ushqimet që u pëlqejnë më shumë. Ekspertët rekomandojnë gjithashtu rritjen e sasisë së perimeve në pjatë dhe uljen e ushqimeve me shumë kalori.

Edhe mënyra e paraqitjes së ushqimit ka rëndësi. Prerja e frutave dhe perimeve në forma argëtuese, servirja në pjata me ndarje ose vendosja e tyre në vende lehtësisht të arritshme i nxit fëmijët t’i provojnë më shpesh.

Studiuesit theksojnë se edhe prindërit luajnë një rol kyç. Kur familja ha së bashku dhe të rriturit japin shembull duke konsumuar ushqime të shëndetshme, fëmijët kanë më shumë gjasa të ndjekin të njëjtin model ushqyerjeje.

Po ashtu, specialistët këshillojnë që ushqimi të mos shoqërohet me presion apo detyrim. Përkundrazi, përfshirja e fëmijëve në gatim, lejimi i tyre për të prekur, nuhatur dhe eksploruar ushqimet e reja në një atmosferë të relaksuar ndihmon në uljen e frikës ndaj ushqimeve të panjohura dhe rrit dëshirën për t’i provuar ato.

Sipas studiuesve, ndryshimet e vogla në rutinën e përditshme mund të kenë ndikim afatgjatë në zakonet ushqimore të fëmijëve, duke ndihmuar jo vetëm në rritjen e konsumit të frutave dhe perimeve, por edhe në shëndetin dhe zhvillimin e tyre në të ardhmen./BBC