Gjergj Bojaxhiu: Si kuptohet nëse ke prejardhje ilire!
Dritare.net

Gjergj Bojaxhi, i ftuar në emisionin “Dekalog” në DritareTV, foli për studimet gjenetike mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe mënyrën se si mund të zbulohet nëse një person trashëgon një linjë të lashtë ilire.
Ndiqni emisionin e plotë me Gjergj Bojaxhiun në DritareTV për të mësuar më shumë:
Sipas Bojaxhiut, studiuesit kanë analizuar ADN-në e eshtrave të gjetura në varreza arkeologjike në një territor që shtrihet nga Ballkani deri në Detin e Zi. Rezultatet krahasohen më pas me kampionet e popullatës së sotme shqiptare.
Kampionet e shqiptarëve, siç shpjegoi ai, janë mbledhur nga të gjitha trevat: Shqipëria, Kosova, Çamëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Vetëm baza e të dhënave që ai përmendi përmban rreth 2 mijë rezultate.
“Një rezultat i një mashkulli vlen për të gjithë meshkujt e të njëjtit fis, sepse trashëgojnë të njëjtin kromozom Y. Pra, 2 mijë rezultate përfaqësojnë rreth 2 mijë fise dhe është sikur të jenë testuar 200 ose 300 mijë njerëz”, shpjegoi Bojaxhi.
Ai tha se të dhënat tregojnë një homogjenitet të lartë gjenetik të shqiptarëve dhe identifikojnë tri vatra kryesore ku, sipas tij, kanë mbijetuar linjat e lashta ilire.
Vatra më e madhe lidhet me territorin historik të Dardanisë. Popullata e kësaj zone është shtuar dhe është shpërndarë më vonë në të gjitha trevat shqiptare, duke përbërë sot grupimin më të madh.
Vatra e dytë përfshin kryesisht Matin, Martaneshin, Dibrën dhe një pjesë të Mirditës. Ndërsa vatra e tretë, më e vogël në numër, ndodhet në jug dhe juglindje, veçanërisht në zonën ndërmjet Skraparit dhe Korçës.
Sipas Bojaxhiut, këto linja mbijetuan kryesisht në zonat malore pas rënies së Perandorisë Romake dhe dyndjeve sllave e barbare. Ai pretendoi se popullata e sotme shqiptare e ka origjinën nga rreth 10 deri në 15 mijë njerëz që mbijetuan në këto vatra rreth 1,500–1,800 vjet më parë.
Gjergj Bojaxhi theksoi gjithashtu se prejardhja gjenetike nuk duhet ngatërruar me identitetin e sotëm etnik, pasi ky i fundit përcaktohet edhe nga gjuha, kultura dhe historia e përbashkët.
Për të zbuluar linjën atërore, një person mund të kryejë një test të kromozomit Y në laboratorë të certifikuar jashtë vendit. Kampioni mund të dërgohet edhe me postë dhe rezultati krahasohet me bazat ekzistuese të të dhënave gjenetike./E.P/-dritare.net