Në det me Rudinën/ Nga Karaibet e Karaburunit deri në Plazh të Vjetër!
Dritare.net
Udhëtimin e radhës në “Shqiptarët e mrekullueshëm” që mbyll edhe gushtin e bashkë me të dhe pushimet, Rudina Xhunga ia dedikoi detit. Me titullin: “Te deti, është sekret!”, gazetarja tregoi Sazanin dhe Karaburunin si një prej destinacioneve më të dashura të kësaj vere dhe e mbylli ashtu si e nisi këtë edicion turizmi, me mbretëreshën e verës, Vlorën.
Po ju, jeni gati për një udhëtim mrekulli me skaf? Merrni një çantë shpine me vete, pak bukë ta keni nëse ju hahet dhe jepi! Çfarë pret?
Nga porti te Bolonja, ku do i hipni skafit, deri sa të mbërrini në Sazan do t’ju shoqërojnë vetëm dallgët e detit blu dhe adrenalina. Sugjerimi i parë i gazetares për ju, është ndalesa te Plazhi i Gjeneralit.
“Në kohën që po ndërtohej Porti i Sazanit, një gjeneral italian, vinte këtu dhe bënte plazhin, pasi është i vetmi plazh e rërë të kuqe.”, tregon Fabio.
E veçanta e këtij plazhi është rëra e kuqe dhe ka një pastërti që ç’ju themi, më mirë ta shihni vetë. Nuk është plazh shumë i njohur për turistët, madje edhe për vetë vlonjatët. Dhe shpeshherë janë guidat e skafeve ato që i orientojnë turistët vendas dhe të huaj për te Plazhi i Gjeneralit. Fabio tregon se më parë nuk vinin shumë njerëz në Sazan dhe vitet i fundit kur u hap ishulli për turistët, filloi që të vizitohet.
“I thonë Plazhi Fantazmë, përveçse i Gjeneralit, sepse herë duket dhe herë zhduket nga baticat.”, thotë Rudina, ndërsa ju sugjeron ta vizioni patjetër këtë dhe çdo plazh tjetër të Sazanit dhe Karaburunit ku rrallë njerëz shkojnë.
“Fabio nga Vlora dhe çunat e tjerë nga Vlorës nuk janë çunat e gomoneve që ju i keni frikë, janë çunat e gomoneve të turizmit. Skafe, jahte, gomone, të gjitha të sjellin në Sazan dhe Karaburun. Shumë shpejt, kur ti të vish në Vlorë, nuk do të kesh asnjë arsye për të ndenjur te Lungomare të pish kafe. Aty rri e pije kafen pasdite. Por paraditen shpenzoje këtu. Hajde dhe te Plazhi i Gjeneralit. Nëse je me anije, bëja me dorë. Nëse je me skaf apo varkë, nëse je me Fabion që e gjen te Bolonja siç e gjeta unë, hajde edhe zhytu te Plazhi i Gjeneralit! Dhe po bëre pis pastaj, ta dërgojmë në shtëpi gjobën.”
Pasi Plazhit të Gjeneralit, me një kredhje në det, destinacioni tjetër është Porti i Sazanit. Ka plot anije, varka të ankoruara në port, pasi ka shumë vizitorë.
Dritan Hila, është cicëroni i ishullit, për grupin.
“Kemi të bëjmë me një nga portet më të vjetra. Daton që në kohën e romakëve, por historia e shkruar e tij fillon diku në shekullin e XX. Në atë kohë ky port u përdor shumë nga italianët. Në periudhën midis dy luftërave, pas çlirimit të Vlorës, 1920-ën, italianët e mbajtën Sazanin. Dhe unë do t’ju këshilloja që të shkoni te qyteti i Sazanit, ku do të gjeni disa lloje arkitekturash. Keni kazermat, shtëpitë e oficerëve dhe komandantit të ishullit, pastaj keni arkitekturën sovjetike ku ishin oficerët sovjetikë, sepse kjo ishte një bazë e përbashkët e Traktatit të Varshavës, dhe më vonë u mor në zotërim nga shqiptarët. Janë disa shtëpi ku jetonin oficerët shqiptarë me familjet e tyre.
Ujë ka pasur shumë pak. Dhe duke qenë se ishin të dislokuara rreth 5 mijë forca ushtarake, pa familjet e tyre duhej që uji të vinte me cisternë nga Vlora për t’u plotësuar nevojat e tyre. Një nga gjërat e veçanta të arkitekturës së këtij vendi është porti i bërë në kohën e Benito Musolinit. Është një nga portet më të bukura, të cilin koha, ndërhyrjet e kanë shkatërruar, por është i bërë i gjithi me gurë të gdhendur. Musolini e kishte përzemër që të bënte një perlë këtu. Duhet ta shikoni sepse është një qytet në vetvete, është i bukur për arkeologjinë ushtarake që ka. Godinat janë mbuluar nga gjelbërimi, tunelet ushtarake janë degraduar. Këtu ka qenë një bazë me 5 mijë ushtarakë, që i binte në rang divizioni, një brigadë e artilerisë bregdetare dhe një këmbësore që vendoseshin për ruajtjen e perimetrit. Flasim për kohën e komunizmit. Ka qenë edhe një bazë për riparimin e anijeve. Deri vonë kanë qenë edhe karkasat e anijeve që dolën jashtë përdorimit, të cilat mbas rënies së komunizmit u hoqën. Nëse do të kishit kohë, unë do të rekomandoja të dilnit më këmbë të bënit pak alpinizëm.”, sugjeron gazetari.
Nëse shkoni dhe ju vishni atlete, se me shapka plazhi nuk bëhet. Dhe pas takimit me historinë, bëni mirë të ndaloni pak te plazhi i ishullit që është i rrethuar me mrekulli. Dhe mos hidhni mbeturina se është mëkat, si për ju, edhe për delfinët e peshqit e rrallë që notojnë rreth Sazanit.
“Rrugëtimin që po bëjmë ne sot, mund ta bëjë gjithkush që vjen në Vlorë. Shkoni te Bolonja, merrni një skaf. Nëse ke frikë nga kovidi merr një skaf ku do të jesh vetëm me familjen tënde. E nëse s’ke vër një maskë dhe lundro me një anije të madhe.”, thotë Rudina.
Pas Portit të Sazanit, aventura e radhës është gjuetia e peshqve në Karaburun. Nuk është peshkim normal, me rrjetë apo gjuetari vendos bombolën dhe futet në det. Jo pa bombole, duke mbajtur frymën dhe me një shigjetë në dorë. Normalisht ata që e bëjnë këtë lloj peshkimi kanë eksperiencë, po ju mund të shijoni momentin kur i shihni ata teksa peshkojnë. Mbase zënë, mbase jo, po e bukura është edhe teksa i shikoni.
“Peshkimi me bombol është i ndaluar. Sepse hyn te gjuetitë e paligjshme. Që të quhet sport ekstrem ti duhet t’i japësh mundësi peshkut që të shpëtojë. Unë do të zhytem duke mbajtur frymën. Nëse është me thellësi mbi 20-30 metra, operohet me gjueti dyshe sepse është shumë e rrezikshme dhe njëri rri në sipërfaqe e mbikëqyr, ndërsa tjetri peshkon. Pastaj kur del njëri për pushim, hyn tjetri. Kur është cekët mund të gjuash edhe vetëm.”, thotë një nga zhytësit apnea që shoqëron Rudinën në këtë udhëtim, Mina Ziu.
“Qëllofshi!”, i uron gazetarja dhe çunat zhyten në thellësinë e detit, për të treguar pamje të rralla. Por siç duket gjuetia nuk eci siç pritej. Sigurisht jo çdo ditë ata kthehen me duar plot.
Mandi tregon se ka shumë arsye për këtë, edhe pse gazetarja Xhunga insiston se duken qartë peshqit tufa-tufa, që si për zili vijnë rreth varkës. Në të vërtetë Mandi dhe Minai e qëlluan një rrufjo atë ditë, por nuk ia dolën ta nxjerrin dot, pasi ai futi kokën mes shkëmbinjve.
Kështu që ata dolën nga thellësia 30 metra ku lanë rrufjon e plagosur, duarbosh, ndërsa grupi mbeti pa ngrënë. E kur nuk ke ngrenë të ikën dhe qejfi të zhytesh ne det, sado ujëra të kristalta kanë gjiret pas Karaburunit.
"Kushtet nuk ishin në favorin tonë sot. Kur e shikon nga varka duket plot zakonisht. Në këtë pjesë të Karaburunit që jemi rreth 20 metra nga bregu, duket fundi i detit, duken peshqit, gurët, uji është transparent. Por sot ujërat janë të turbullta poshtë, pavarësisht se në sipërfaqe duken të pastra. Por kur kalon nën 10 metra, uji bëhet si mjegull, ndaj unë më së shumti peshkoj afër sipërfaqes."
Çdo të thotë të jesh zhytës në Vlorë?
"Ka disa lloje kategorish zhytësish. Unë i kam dedikuar jetën këtij sporti. Është një ndër ato sporte që futet tek ekstremet, do shumë kujdes. Është një gjueti që bëhet pa frymë. E kam mësuar në Itali, në vendin ku kam qëndruar për 25 vjet. Atje kam bërë kurse për këtë lloj sporti. Ka tre vjet që jam kthyer nga atje. Kam punuar shumë punë si emigrant, por detin e kam pasion. Kam bërë të gjitha kurset e nevojshme që i përkasin këtij sporti. Tani merrem më shumë me peshkim nënujor. Bëj guida turistike për të gjithë ata që kanë dëshirë ta shohin Karaburunin në pjesën e pasme.”
Mandi tregon se jo të gjithë, pavarësisht dëshirës mund të zhyten me të në thellësinë e detit. Për këtë thotë ai, është e nevojshme që dikush të dijë disa informacione elementare, pasi nuk është një sport i thjeshtë, ndonëse mund të mendohet i tillë. Sidomos këtë vit për shkak të pandemisë, por edhe përgjatë viteve të fundit, Mandi tregon se turizmi ka ndryshuar. Njerëzit nuk i mendojnë më pushimet, plazh-shtëpi-lokal. Duan të eksplorojnë, të shijojnë vende të reja. Nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe të huajt që marrosen pas Vlorës.
"Në Gjirin e Vlorës ka çfarë të tregosh. Është vërtet shumë i bukur. Një nga perlat e Mesdheut, dhe jo se e them unë. Edhe miqtë tanë italianë e duan shumë. Kur vijnë këtu mbeten të mahnitur. Vijojnë të vijnë ende edhe në këtë periudhë. Të hënën vjen një grup nga Brindisi.”
E pas diskutimesh mes Mandit dhe gazetares se si do ia bëjnë për drekën, duket se ata e gjejnë një zgjidhje. Blejnë peshk te një anije peshkimi që e ndeshin në det dhe nisen drejt Plazhit të Vjetër të Vlorës.
"Gjiri i Vlorës, është një zonë e gjitha gati për t'u investuar. Një nga gjiret jo vetëm më të mbrojtura por ndër më të bukurat, në Mesdhe", thotë gazetarja Xhunga, e cila ndërpritet nga Mandi, një tjetër vlonjat të cilit nuk i mbarojnë kurrë fjalët kur bëhet fjalë për qytetin e tij, që po kthehet në kryeqytetin e verës.
"Karaburuni është ende i paprekur, është ende natyral. Grupet që vijnë nga Italia, që kanë shëtitur jo pak, dhe që për 20 vjet kanë shëtitur Greqinë, thonë se si ky det nuk ka. Se Karaburuni është unik.", vijon ai.
Pas shëtitjeve me gomone, ku kishte mrekulli e gjire të panjohura të Vlorës, pasditja shijohet në breg, në vendin ku do të shihni perëndimin më të bukur. Në Plazhin e Vjetër.
"Ka perëndime më të bukura se sa ky sot. Plazhi i Vjetër i Vlorës, është plazhi i fëmijërisë sime, por nuk e dua vetëm se është i tillë. E dua se është plazhi i të ardhmes së Vlorës. Plazhi i resorteve të ardhshme. Janë të huajt dallëndyshet e para, ata që e kuptojnë. Këtë vit plazhi i Vlorës, ka pasur plot të huaj, polakë, italiane. Janë ata të parët që vijnë, e gjejnë një vend, sepse ata e dinë që duhet të vesh në vende ku ti shijon, jo atje ku shkon të të shohin. Atje nuk pushon dot kurrë. I tillë është Plazhi i Vjetër.”
Aty grupi nisi pastrimin e peshkut buzë detit dhe ndezën zjarrin ta pjekin peshkun e blerë. Ah ta dini sa shijon kjo pamje buzë detit, kur qielli është flakë i kuq nga perëndimi. E sidomos kur duke pritur të sjellin një spritz aperol, nga duart e Paolos, milanezit, që ka hapur një bar në Plazh të Vjetër.
Paolo është milanez. Paolo ka quajtur "Minimal" barin e tij, sepse ky është thelbi i jetës. Esenca e saj. Kjo në fakt është edhe thelbi i Plazhit të Vjetër të Vlorës. Thelbi i plazheve të bukura, thelbi i gjërave të rëndësishme. Thelbi i jetës afër natyrës.
"Zgjodha Vlorën, se për mua është kryeqyteti i botës. Po, po. Se në pak kilometra i ka të gjitha. Ka malin, ka detin, i ka të gjitha.”, thotë Paolo.
Njësoj mendon dhe Armando, që la gjithçka në Itali, sepse i mungonte deti, Vlora. Të dy kanë gjetur këtu esencialen e jetës.
"Kjo është ajo që vlen. Kjo është ajo që unë ju ftoj të zgjidhni. Esenca e gjërave", shprehet Rudina dhe ndërsa ajo mbyll emisionin, Ermir Shahini i njohur si Miri i West Side Family afrohet krejt papritur dhe bën gëzuar me gazetaren dhe Paolon.
"E shikoni kur kërkon pak, gjen shumë, e mbyll Rudina këtë udhëtim në kërkim të thelbit të pushimeve dhe vetë jetës./dritare.net