Çështja Balluku/ A duhet të japë dorëheqjen zv/kryeministrja? Analiza ligjore dhe politike
Dritare.net

Një nga pikat më të nxehta të debatit në Dekalog, Dritare TV ishte situata e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vënë nën hetim nga SPAK. Analisti Arben Meçe bëri një dallim të qartë mes përgjegjësisë ligjore dhe asaj politike.
Sipas tij, nga pikëpamja ligjore, nuk ka asnjë detyrim që një zyrtar i marrë i pandehur të japë dorëheqjen.
'Prezumimi i pafajësisë është baza e një gjykimi,' tha ai, duke shtuar se 'precedenti në Shqipëri është goditur', duke kujtuar raste si ai i Lulzim Bashës, i cili vazhdoi të ishte ministër ndërkohë që ishte nën ndjekje penale. Megjithatë, Meçe theksoi se vendimmarrja politike është një tjetër dimension.
'Kjo është vendimmarrje politike natyrisht e kryeministrit të vendit. Dhe ai mban përgjegjësi politike për sa kohë që ligji nuk e detyron të veprojë në formë tjetër,' argumentoi ai.
Sipas Meçes, kryeministri Rama ka të drejtën të vlerësojë nëse figura e Ballukut është kompromentuar dhe nëse kjo cenon imazhin e qeverisë, duke i kërkuar asaj dorëheqjen si një akt politik, pavarësisht procesit ligjor. Ai shtoi se deri më tani, Rama nuk ka treguar se ka ndërmend ta bëjë këtë, duke e mbajtur atë në detyrë dhe duke mos e konsideruar fajtore përpara një vendimi gjykate.
Duke u thelluar në aspektin ligjor të dosjes së SPAK për tenderin e 'Lotit 1', Arben Meçe paraqiti një analizë kritike ndaj akuzave të prokurorisë. Ai shpjegoi në detaje dy fazat e tenderit, duke argumentuar se veprimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Belinda Ballukut nuk përbëjnë shkelje.
Sipas tij, vendimi për të korrigjuar një kriter në tenderin e parë, i cili më pas u anulua, ishte një veprim për të parandaluar një favorizim të mundshëm dhe jo për ta shkaktuar atë. Në tenderin e dytë, Meçe argumentoi se prokuroria nuk ka arritur të provojë se si është shkelur barazia. 'Barazia është kur i dyti e fitoi në mënyrë të paligjshme referuar të parit,' tha ai, duke shtuar se dosja nuk ofron asnjë provë për këtë, por fokusohet në çështje dytësore.
Ai vuri në dyshim motivet e SPAK, duke pyetur: 'Pse pikërisht tani prokuroria, mbas katër vjetësh nga kryerja e veprës penale, e ekzekutoi tani? Dhe pse para zgjedhjeve?'. Meçe e cilësoi çështjen si politikisht të motivuar, duke theksuar se vepra penale për të cilën akuzohen zyrtarët mund të jetë tashmë e parashkruar, gjë që e bën hetimin edhe më të dyshimtë sipas tij./dritaretv
