Na ndiqni edhe në

Emisionet

Rrëfimi i Arben Meçes: Përplasjet, reformat e dështuara dhe largimi nga PD!

Rrëfimi i Arben Meçes: Përplasjet, reformat e dështuara

Në “Dekalog”, Dritare TV, analisti Arben Meçe ka skicuar një panoramë të zymtë të politikës shqiptare, duke e cilësuar atë si një situatë absurde ku mazhoranca socialiste marshon drejt mandatit të katërt pa një opozitë reale përballë. Meçe e përkufizoi sistemin aktual politik në Shqipëri si një shtet hibrid që anon drejt autoritarizmit.

“Ne jemi akoma në hibrid dhe jemi në kushtet e një shteti autoritar,” tha ai, duke argumentuar se ndonëse në letër institucionet janë demokratike, në praktikë politika i kontrollon ato, duke cenuar parimet e një demokracie funksionale. Ai shtoi se autoritarizmi është një sistem ku nuk ka as diktaturë të plotë, por as demokraci reale, duke krijuar një strukturë ku pushteti është i përqendruar.

Duke folur për krizën e thellë në Partinë Demokratike, Meçe bëri një rikthim historik në përpjekjet e tij për reformimin e partisë që në vitet '90. Ai rrëfeu se si lëvizja e tij për “hapjen e Partisë Demokratike” në vitin 1996, e mbështetur nga 4500 anëtarë, u neutralizua nga strukturat e brendshme. Meçe përshkroi incidente të rënda, ku siç u shpreh, “gorillat” e partisë e kishin nxjerrë me forcë nga konferencat për të mos e lejuar të fliste.

“Nuk të lejon të votosh zotëri”, tha ai, duke e krahasuar situatën me dhunën e ushtruar ndaj Roland Bekos. Ai hodhi akuza të forta edhe ndaj themelimit të PD-së dhe figurës së Sali Berishës, duke pretenduar se ai ka qenë agjent i dyfishtë.

Pavarësisht kësaj historie të trazuar, Meçe justifikoi rikthimin e tij në PD në vitin 2005 si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë reformatorësh, e cila, sipas tij, dështoi sërish. Në lidhje me situatën aktuale, ku Partia Socialiste po përballet me goditje të forta nga SPAK, Meçe argumentoi se ndryshe nga e kaluara, sot ekziston një sistem drejtësie që po funksionon. “Në qoftë se sot ka një sistem drejtësie i cili penalizon, unë po them po dhe e mbështes”, tha ai, duke e parë këtë si një zhvillim pozitiv për vendin.

Duke analizuar çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK, Meçe u shpreh se ligjërisht ajo nuk ka detyrim të japë dorëheqjen për shkak të parimit të pafajësisë, por vendimi mbetet politik dhe i takon kryeministrit. Ai kritikoi ashpër dosjen e prokurorisë, duke e konsideruar të dobët dhe të fokusuar në goditjen e imazhit përmes publikimit të komunikimeve private, pa prova të forta për shkelje të barazisë në tender.

Ai vuri në dyshim kohën e publikimit të hetimit, pak para zgjedhjeve të pjesshme, dhe faktin që vepra penale, sipas tij, mund të ishte parashkruar. Në fund, Meçe zbuloi edhe një anë tjetër të tij, atë të një njeriu që gjen paqe duke punuar tokën në vilën e tij në Baldushk, duke treguar me pasion për pemët dhe kafshët që rrit, si një mënyrë për t'u shkëputur nga realiteti i ashpër politik./dritare.net