Rama: Shpresoj në 2028 të mbyllim negociatat me BE
Dritare.net

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Giorgia Melonin, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive të mbajtur këtë të enjte në Itali, më 13 nëntor, kryeministri Edi Rama e cilësoi ditën e sotme si historike.
“Sot për ne është një ditë absolutisht historike, sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me atë italiane për të folur për projekte dhe një të ardhme të përbashkët. Dhe për të firmosur marrëveshje konkrete, për projekte konkrete”.
Rama u ndal gjatë tek marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara nga të dyja palët këtë të enjte.
“Mund të them se gjithçka që tha Meloni pak më parë shkon në drejtimin e asaj për thellimin e kësaj marrëdhënieje. Energjia… kemi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë që po ecën përpara, për të kontribuar ndaj sovranitetit energjetik të Europës, përmes interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë me pjesëmarrjen e Emirateve. Po punojmë për një tjetër projekt të madh që lidh lindjen me perëndimin dhe që është i një rëndësie të madhe strategjike”.
Kryeministri u ndal edhe tek aspiratat e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE në 2028-n.
“Do doja të shtoja që po, do të ishte vërtet qershia mbi tortë, që në 2028, vit kur Italia do të marrë kryesinë e Këshillit Europian dhe Giorgia do të mbajë rolin e dyfishtë… pasi të kemi përfunduar negociatat teknike, do të mund të nisim punën për negociatat politike. Nëse duke nisur punën për këto negociata përgjegjësia do të jetë e Giorgias, do të thotë për ne që do të jemi në duart më të mira të mundshme, që të mund të hapim atë derë e cila qëndron e mbyllur për ne prej qindra vjet.”
Nga ana e saj, kryeministrja italiane tha se Italia do të bëjë gjithçka për Shqipërinë nëse procesi teknik i negociatave do të ketë përfunduar, në momentin që ky vend do të marrë kryesinë e Këshillit Europian.
Në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve të mbajtur në Romë, Shqipëria dhe Italia forcuan edhe më tej partneritetin në fusha të rëndësishme, me shkëmbimin e një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi. Marrëveshjet mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike, si mbrojtja, energjia, kulturë etj./dritare.net