Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë të negociatave me BE-në, Kos: Super e Marta për zgjerimin evropian


Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur sot tre kapitujt e parë të negociatave. Vendimi u zyrtarizua në Bruksel gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku u arrit dakordësia për përfundimin e kapitujve që lidhen me Shkencën dhe Kërkimin (Kapitulli 25), Arsimin dhe Kulturën (Kapitulli 26) dhe Marrëdhëniet me Jashtë (Kapitulli 30).

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi 14 korrikun si një ditë të veçantë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke e quajtur atë një “Super të martë”.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social X, Kos tha se për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit në të njëjtën ditë, me vendet kryesuese të procesit: Shqipërinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e BE-së. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që janë në krye të procesit- Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi- po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. Tani, ky momentum i krijuar sot duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, tha Komisionerja./K.C/dritare.net