Hetimet për review-t negative/ 15 biznese denoncojnë, identifikohen mbi 200 persona
Dritare.net

Pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Kibernetik janë depozituar deri më tani 15 denoncime nga pronarë biznesesh, të cilët pretendojnë se janë dëmtuar nga një valë vlerësimesh (review) negative të publikuara në platforma online.
Sipas burimeve, Policia ka identifikuar më shumë se 200 persona që dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale për të publikuar ose shpërndarë këto vlerësime. Të gjithë po i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar nëse kanë vepruar në mënyrë të koordinuar dhe nëse veprimet e tyre përmbajnë elementë të veprave penale.
Hetuesit po shqyrtojnë disa vepra të mundshme penale, mes tyre “manipulimi i çmimeve”, “përhapja e informacioneve të rreme”, “shpifja” dhe “falsifikimi kompjuterik”.
Sipas Policisë, fokusi i hetimeve është identifikimi i personave që dyshohet se kanë organizuar dhe koordinuar fushatën e vlerësimeve negative, e cila, sipas denoncimeve, u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në imazhin dhe aktivitetin ekonomik bizneseve të prekura./K.C/dritare.net