Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Inxhinieri: Si u vodh kablli 12 km i Sazanit, me vlerë 5 milionë dollarë

Tiranë – Inxhinieri Kristaq Puleri ka deklaruar se kablli nënujor që furnizonte ishullin e Sazanit me energji elektrike nga Vlora u shkatërrua dhe u vodh gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997.

I ftuar në emisionin "Dekalog" të gazetarit Roland Qafoku, Puleri tha se kablli, me gjatësi rreth 12 kilometra, ishte vendosur në fund të viteve '70 dhe për vite me radhë garantoi furnizimin me energji elektrike të ishullit.

Sipas tij, infrastruktura u ndërtua me materiale cilësore të prodhuara në vend, por më pas u zhduk plotësisht.

"Kablli ishte nga Triporti në Sazan, rreth 12 kilometra. E kanë marrë dhe e kanë shitur për skrap, për bakër. Ishte një punë e shkëlqyer e inxhinierëve, por u shkatërrua në vitin 1997", u shpreh Kristaq Puleri.

Inxhinieri vlerësoi se vlera e bakrit të kabllit mund të ketë qenë rreth 5 milionë dollarë, ndërsa e cilësoi periudhën e vitit 1997 si një katastrofë për infrastrukturën e vendit.

"Mosfunksionimi i shtetit në vitin 1997 ishte një katastrofë e madhe për Shqipërinë", tha ai.

Gjatë intervistës, Puleri foli edhe për potencialin energjetik të ishullit të Sazanit, duke sugjeruar se vendosja e paneleve diellore në kodrat e ishullit mund të siguronte jo vetëm nevojat e Sazanit, por edhe të kontribuonte me energji elektrike për qytetin e Vlorës./L.F-dritare.net