Ministrja serbe shkakton reagime me deklaratën për Kosovën
Dritare.net

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë të diskutueshme gjatë një interviste për një media serbe.
Paunoviç deklaroi se, nëse do të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç, ajo do të kishte kryer “spastrimin etnik të Kosovës” gjatë luftës së vitit 1998.
“Për gabimet dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, u shpreh ministrja serbe.
Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 u shoqërua me operacione të forcave serbe, vrasje të civilëve dhe dëbime masive të popullsisë shqiptare. Gjatë konfliktit, mbi një milion shqiptarë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra persona u vranë ose rezultojnë të zhdukur.
Në një kohë kur ende ekzistojnë plagët e luftës së Kosovës, mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për viktimat, të zhdukurit dhe të dëbuarit, ndërsa çdo deklaratë që normalizon ose shpreh mbështetje për politika të tilla sjell shqetësim të madh.
Deklarata të këtij lloji nuk prekin vetëm të kaluarën historike, por ndikojnë edhe në klimën e sotme politike dhe marrëdhëniet mes komuniteteve. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore pritet të kontribuojnë në paqe dhe pajtim, jo të rikthejnë retorika që lidhen me dhunën dhe dëbimet.