Jam i pafajshëm! Tensione në gjyqin ndaj Ilir Selmanit, e ëma Santiago Malkos: Ma kthe djalin!
Dritare.net

Nën masa të rrepta sigurie, është zhvilluar sot seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj Ilir Selmanit, i dënuar në shkallën e parë për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Seanca nisi rreth orës 14:30, ku përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme kërkuan lënien në fuqi të dënimit me 28 vite burg për Selmanin, duke e konsideruar të provuar përfshirjen e tij në ekzekutimin e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur më 19 gusht 2019 në zonën e Porcelanit, në Tiranë.
Gjatë seancës, Ilir Selmani hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me krimin për të cilin është dënuar.
"Jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje," deklaroi ai para trupit gjykues.
Mirëpo u shënuan momente tensioni në sallën e gjyqit, ku ishte e pranishme nëna e Santiago Malkos. Ajo kërkoi që gjykata të lërë në fuqi dënimin maksimal të kërkuar nga SPAK, ndërsa u shpreh mes emocionesh se familja e saj pret drejtësi prej vitesh.
"Ky më ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg, ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj. Nxirreni jashtë këtë," deklaroi ajo gjatë seancës.
Ilir Selmani ndodhet aktualisht në masën e sigurisë "arrest në shtëpi", pasi pak muaj më parë përfitoi ndryshimin e masës për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, një vendim që ngjalli reagime të shumta për shkak të profilit të lartë të çështjes.