Na ndiqni edhe në

Bota

Trump shpërthen ndaj Iranit: Gjithçka ishte rënë dakord, por u tërhoqën në fund

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani kishte arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara pas një takimi 11-orësh, por më pas u tërhoq duke kërkuar ndryshime të reja.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se “gjithçka ishte rënë dakord”, duke iu referuar një marrëveshjeje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, por sipas tij pala iraniane ndryshoi qëndrim në momentet e fundit.

“Gjithçka është 11 orë me këta njerëz. Duhet të jetë një minutë”, tha Trump, duke akuzuar Iranin se është i fokusuar vetëm te negociatat dhe ndryshimet e vazhdueshme të kushteve.

“Gjithmonë ndryshime. Janë negociatorë profesionistë, kjo është e gjitha. Nuk do të thosha se janë të mirë në këtë… nuk morën asgjë nga unë”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump kritikoi gjithashtu politikat e mëparshme amerikane ndaj Iranit, duke thënë se Teherani ka “tërhequr zvarrë” presidentët amerikanë për 47 vite, duke përmendur administratat e Bill Clinton, George Bush dhe Barack Obama.

Ndërkohë, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “ndoshta do të marrin kontrollin” e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.

“Ne po marrim kontrollin e ngushticës. Ata nuk kanë asgjë. Nuk kanë asgjë”, tha Trump, duke iu referuar Iranit.

Ai shtoi se SHBA-ja kishte goditur Iranin “shumë fort” gjatë sulmeve të fundit, duke pretenduar se shumica e pajisjeve ushtarake iraniane dhe sistemet kundërajrore janë shkatërruar.

Nga ana tjetër, Ambasada e Iranit në Britani ka deklaruar se Teherani ka krijuar një korridor të përkohshëm të sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit, por ka paralajmëruar se veprimet ushtarake amerikane e kanë kthyer zonën në një hapësirë me rrezik të lartë.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë strategjike për tregtinë botërore, pasi një pjesë e madhe e eksporteve të naftës kalon përmes saj, duke e bërë çdo përshkallëzim në këtë zonë me pasoja të mundshme globale./K.C/dritare.net