Na ndiqni edhe në

Shëndet

Shpërthimi i një infeksioni me parazit që shkakton diarre ka prekur mbi 1,700 persona. Si të mbroheni

Vera është koha ideale për të shijuar manaferrat e freskëta dhe sallatat e stinës, por këtë vit ekspertët këshillojnë kujdes të shtuar për shkak të rritjes së rasteve të infeksionit nga Cyclospora, një parazit mikroskopik që shkakton diarre.

Qendra e shpërthimit është në shtetin e Michiganit, ku deri të premten janë regjistruar mbi 1,500 raste, ndërsa në Ohio janë raportuar afro 200 raste. Rritje të rasteve janë vërejtur edhe në shtete të tjera, si Nju Jorku, Illinoisi, Indiana, Karolina e Veriut dhe Teksasi, megjithëse nuk është ende e qartë nëse të gjitha lidhen me të njëjtin shpërthim.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftojnë se disa shtete kanë raportuar shtim të rasteve gjatë dy javëve të fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Deri më tani, CDC ka konfirmuar 843 raste në nivel kombëtar që nga 1 maji, por thekson se shifrat pritet të rriten ndërsa analizat vazhdojnë.

Megjithëse infeksioni rrallë është fatal, ai mund të shkaktojë diarre të fortë, dhimbje barku, fryrje dhe dehidrim, duke çuar në disa raste edhe në shtrim në spital. Mbi 70 persona janë hospitalizuar në Michigan dhe Ohio.

Si transmetohet Cyclospora?

Infeksioni nuk transmetohet nga një person te tjetri. Njerëzit infektohen duke konsumuar ushqime ose ujë të kontaminuar, zakonisht fruta dhe perime të freskëta ose ujë nga pishina, liqene dhe lumenj.

Paraziti është rezistent ndaj klorit, prandaj mund të mbijetojë edhe në pishinat e klorinuara dhe parqet ujore.

Si të mbroheni?

Ekspertët rekomandojnë:

Gatuani perimet kur është e mundur. Temperatura mbi 70°C (158°F) e shkatërron parazitin.
Lani mirë frutat dhe perimet për të paktën një minutë, duke i zhytur në ujë dhe duke i fërkuar lehtë.
Një tretësirë me një të katërtën uthull dhe tre të katërtën ujë mund të ndihmojë në largimin e shumicës së parazitëve, megjithëse nuk garanton eliminimin e plotë.
Hiqni gjethet e jashtme të sallatës dhe pastroni me furçë frutat dhe perimet me lëkurë të fortë.
Ushqimet me rrezik më të lartë
Produktet që janë lidhur më shpesh me shpërthime të Cyclospora përfshijnë:

Mjedrat
Borzilokun
Sallatat e gatshme
Bizelet e njoma

Çfarë të bëni nëse sëmureni?

Nëse diarrea zgjat më shumë se 48 orë, ekspertët rekomandojnë të konsultoheni me mjekun. Testet rutinë për infeksionet e stomakut zakonisht nuk e zbulojnë Cyclospora-n, ndaj mund të nevojitet një analizë specifike dhe, në disa raste, më shumë se një mostër.

Trajtimi standard zgjat 7–10 ditë.

Sipas specialistëve të sëmundjeve infektive, trajtimi është i rëndësishëm jo vetëm për të lehtësuar simptomat, por edhe për të kufizuar përhapjen e parazitit në mjedis./L.F-dritare.net