Na ndiqni edhe në

Editorial

Shqipëria bëhet e madhe nga njerëz si Aldo Shllaku



Nga Rudina Xhunga

Janë pak njerëz që e bëjnë një vend të ndihet më i madh se sa është. Njëri prej tyre është Aldo Shllaku. Për publikun shqiptar ai mund të mos jetë një emër i përditshëm, sepse nuk është këngëtar, aktor, nuk del në spektakle. Por në botën e kinemasë ai është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës së filmit, që jeton dhe punon në Los Anxhelos, aty ku lindin filmat më të mëdhenj të industrisë amerikane. Muzika e tij shoqëron filma me aktorë si Robert de Niro, Morgan Freeman, Tommy Lee Jones dhe shumë emra të tjerë të Hollywood-it. Në një profesion ku konkurrojnë mijëra artistë nga e gjithë bota, ai ka arritur të dallohet, të kërkohet. Sot, nga studioja e tij në Los Anxhelos, ai vazhdon të krijojë muzikën që dëgjohet në ekranet e kinemave dhe platformave ndërkombëtare, duke qenë një nga emrat ndërkombëtarisht më të njohur në muzikën e filmit dhe shqiptari i vetëm.

Por historia e Aldo Shllakut nuk fillon në Los Anxhelos. Ajo fillon shumë larg dritave të Hollywood-it. Fillon në një familje artistësh që mbarti mbi supe një histori të rëndë. Gjyshi u dënua nga regjimi dhe e gjithë familja u shpall armike. Prindërit e Aldos, të dy aktorë, e ndërtuan jetën në Elbasan, larg Shkodrës, nga vinte familja e tyre.

Në një intervistë për Shqip në Dritare TV, Aldo ka treguar se, megjithatë, në familjen e tij nuk u kultivua urrejtja. Edhe pse kishin arsye për ta bërë këtë, prindërit zgjodhën një rrugë tjetër. Ata i rritën fëmijët me art, me kulturë dhe me bindjen se njeriu nuk jeton duke urryer, por duke krijuar.

Ata të dy i mësuan se jeta gjithmonë të jep mundësi të zgjedhësh; të mbetesh peng i asaj që të kanë bërë, ose mund ta kthesh dhimbjen në energji për të ndërtuar diçka më të madhe se vetja.

Aldo zgjodhi rrugën e dytë.

U largua nga Shqipëria, studioi, punoi pa zhurmë, kaloi nga Greqia në Kanada dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. Në një industri ku askush nuk të pret me krahë hapur, ai arriti të fitojë besimin e regjisorëve dhe producentëve vetëm me punën e tij. Sot jeton në Los Anxhelos, aty ku muzika që shkruan bëhet pjesë e historive që shohin miliona njerëz në ekran. Dhe, megjithatë, nga ato maja të botës, ai gjen kohë të kthehet në Shqipëri.

Në korrik ai solli recitalin e tij në Tiranë dhe në Shkodër. E magjishme. Por, aq fisnik dhe modest sa është Aldo, nuk kishte si të bërtiste për netët e rralla që ai i bëri dhuratë Shqipërisë.

Ndaj doja që të mund të flitej nga të tjerë, më shumë, për fuqinë e atyre dy mbrëmjeve që sollën Hollywood-in në Shqipëri dhe Aldon në shtëpi.

Sepse nuk qe vetëm recitali i djalit më të famshëm të momentit, që punon me yjet më në zë në Hollywood. Është më shumë se kaq. Është mesazhi i Shqipërisë së mirë, që krijon dhe nuk vajton. Që punon dhe nuk bërtet vetëm për mungesat, për plagët, vuajtjet, padrejtësitë. Për atë që i është mohuar.

Ndoshta ky është mësimi më i madh që mund t’i japin njerëz si ai, një kombi që do të shohë dhe të shkojë përpara.

Sepse në fund, nuk janë ata që bërtasin më shumë ata që e nderojnë një vend. Janë ata që, me punën e tyre, bëjnë që emri i Shqipërisë të përmendet me respekt në skenat më të mëdha të botës dhe, kur kthehen në shtëpi, e bëjnë këtë me të njëjtën thjeshtësi me të cilën u larguan./dritare.net