Jemi mbyllur në klasa!/ Nxënësit në Francë në protestë, dëshmia e ndjekëses së DritareTV
Dritare.net

Protestat e nxënësve kanë përfshirë prej ditësh shkollat e mesme në Francë, ndërsa sot situata vijon të jetë e tensionuar në disa qytete. Një ndjekëse e DritareTV, e cila ndodhet në liceun “André Siegfried”, na ka dërguar pamje dhe dëshmi nga brenda shkollës, ku nxënësit janë mbyllur në klasa në kuadër të protestës. Përballë ndodhet liceu “Robert Schuman”, ku, sipas saj, nxënësit atje janë përfshirë në protestë. Ata kundërshtojnë ngarkesën e madhe mësimore, mungesën e mësuesve dhe kushtet në shkolla.

“Mirëdita DritareTv! Në Francë bëhen protesta nga nxënësit. Jemi mbyllur në klasa dhe pamjet nga dritaret e shkollës janë spektakolare Unë jam me nxënësit brenda. Kam mbaruar mësimin që në 10:00. Unë jam në Lycée ‘André Siegfried’. Në anën tjetër të urës, përballë, është Lycée ‘Robert Schuman’. Shihen edhe nxënësit e Schuman-it që janë mbyllur. Protestojnë kundër ngarkesës së madhe mësimore. Mësimi është nga ora 08:00 deri në 18:00 çdo ditë. Po ashtu protestojnë kundër mungesës së profesorëve, mensave me ushqim që nuk u pëlqen dhe tualeteve që qëndrojnë të mbyllura gjatë mësimit. Ato hapen vetëm nga ora 12:00 deri në 13:30. Po ashtu nxënësit nuk duan të dorëzojnë telefonat gjatë mësimit."

Protestat e nxënësve francezë janë përhapur në të gjithë vendin dhe kanë nisur fillimisht me kërkesa për më shumë mësues, kushte më të mira dhe më pak mbingarkesë në shkolla. Sipas raportimeve të fundit, rreth 400 deri në 500 lice pritet të jenë tërësisht ose pjesërisht të mbyllura sot, ndërsa qeveria ka njoftuar masa për rikthimin e mësimit aty ku kushtet e sigurisë e lejojnë. Në ditët e fundit, protestat janë shoqëruar edhe me përplasje dhe incidente në disa zona të Francës. Megjithatë, në thelb të lëvizjes qëndrojnë kërkesat e nxënësve për kushte më të mira arsimore, më shumë staf pedagogjik dhe një sistem shkollor që, sipas tyre, të mos i ngarkojë me orare dhe kërkesa të tepërta./dritare.net