Na ndiqni edhe në

Shqip

Tualet nuk do të thotë nevojtore. Ja kuptimi i vërtetë! Flet gjuhëtari!

Tualet nuk do të thotë nevojtore. Ja kuptimi i vërtetë! Flet

Gjuhëtari Xhevat Lloshi në Shqip nga Rudina Xhunga, në DritareTv shpjegoi se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën tualet. Zoti Lloshi shprehet se nuk mund të shpjegohet në fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala tualet, si e barasvlershme me nevojtore, pasi kjo sipas tij është një padituri e madhe nga gjuhëtarët.

“Kanë vendosur së fundmi në fjalor fjalën tualet. E dini si e kanë shpjeguar apo jo, mua më vjen turp ta them. Tualet-nevojtore. Si ka mundësi të kemi specialistë që fusin fjalë në gjuhën shqipe sot dhe janë plotësisht të paditur. Tualet është një gjuhë frënge. Shumë shekuj përpara ka lindur fjala tual, që do të thotë pëlhurë. Por me kalimin e kohës gratë mbanin një copë pëlhurë që vendosnin sendet e kozmetikës. Kjo copë tual është pëlhurë, tualet do të thotë një pëlhurë e vogël. Me kalimin e kohës u bë një mobilje e vogël që gratë e mbanin në dhomën e tyre, e ka pasur dhe nëna ime. Aty kishte një pasqyrë, legen të vogël dhe sende për të bërë dhe tualetin, kjo ishte komoja. Më pas kur u bë e mundur që në banjo të kishte dhe ujë të rrjedhshëm, kjo mobilje e vogël shkoi në banjo. Atëherë, tualeti mori këtë kuptim, gruaja në fillim lahej dhe më pas bënte tualetin. Në këtë mënyrë u bashkua larja me tualetin.

Sot në vitin 2024, një grua del nga shtëpia pa bërë tualet? Po mirë ta marrim këtë fjali sipas fjalorit, gruaja del nga shtëpia pa bërë nevojtoren?

Pika e parë, gratë lahen, lyhen dhe stolisen. Pra, kuptimi i parë i fjalës tualet është stolisja e një gruaje bashkë me makijazhin. Kuptimi i nevojtores ekziston, por edhe në fjalorët e frëngjishtes thuhet se pasi tualeti filloi të bëhet në nevojtore, ne në gjuhësi i themi eufemizëm. Në mënyrë eufemistike, kjo banjë për mos të quhej nevojtore, u quajt tualet. Por është kuptimi i fundit fare, që ne e quajmë eufemizëm.

Edhe në fjalor duhet shpjeguar se tualet është zbukurimi që bën gruaja, kuptimi tjetër, eufemizëm, nevojtore. Mund t’i themi tualet, por ky është kuptimi tjetër. Është gabim i rëndë. Përshembull i thua shoqes ke bërë një tualet të lehtë, si mund t’i thuash ndryshe: “Ke bërë një nevojtore të lehtë?”. Nuk mund të bëhet kështu shkencë, është një padituri e thellë. Duhet të bëjmë një punë më të mirë, edhe ne gjuhëtarët mos të shkruajmë fjalë të pakuptueshme”, u shpreh zoti Lloshi./M.K-dritare.net