
Si e ndryshon kultura jetën e vendit. Një këngëtare ndryshoi GDP-në amerikane!
Dritare.net
Profesor Xhevat Lloshi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për rolin e jashtëzakonshëm që ka kultura në jetën dhe ekonominë e një vendi. Gjuhëtari solli si shembull ikonën amerikane Taylor Swift që me një tur koncertesh i shtoi GDP-së amerikane mbi 5 miliardë dollarë. Kjo është forca e kulturës, e arit, e kulturës, e shkencës, e dijes thotë profesor Lloshi. Dhe shteti shqiptar duhet të shpenzojë për kulturën që kultura të sjellë fitime për vendin.
“Shteti shqiptar duhet të shpenzojë për kulturën e këtij vendi. Po ju them një fakt. Shpenzimi për kulturën në kohët e sotme konsiderohet një nga shpenzimet më fitimprurëse në botë. Sepse përmirësimi i nivelit të kulturës së njerëzve sjell përmirësimin e të ardhurave të shtetit. Një shembull i jashtëzakonshëm: Para disa muajsh këngëtarja e njohur amerikane Taylor Swift bëri një turne në të gjithë Amerikën dhe bëri një lëvizje financiare prej 5.6 miliardë dollarësh. Financierët amerikanë thanë: Kjo është më e fortë se një fabrikë. Një këngëtare, një përfaqësuese e artit dhe kulturës i jep ekonomisë më shumë fitime sesa një fabrikë. Është një shembull që nuk ka krahasim, në të gjithë historinë e njerëzimit. Sepse ka zë të mirë, orkestër, kompozitorë të mirë. Por të gjithë këta njerëz bënë që në Amerikë të qarkullojnë mbi 5 miliardë dollarë. Kjo është forca e kulturës, e arit, e kulturës, e shkencës, e dijes. Këngëtarët tanë, artistët tanë kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm jashtë vendit, pse të mos shfrytëzohet ky sukses edhe për Shqipërinë?”, tha profesor Xhavat Lloshi në DritareTV./K.C/dritare.net

















