
Gjuhëtari: Lidhja e inteligjencës artificiale me gjuhën!
Dritare.net
Gjuhëtari Xhevat Lloshi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV shpjegoi se çfarë është inteligjenca artificiale, pasi shumë flasin për të, por nuk e kuptojnë. Sipas shpjegimit të gjuhëtarit amerikan, Çomski, thotë profesor Lloshi, inteligjenca artificiale është një plagjiaturë universale. Studiuesi thotë edhe një shembull që tregon forcën e jashtëzakonshme të analizës semantike dhe inteligjencës artificiale.
“Askush në Shqipëri nuk u tregon njerëzve se çfarë është inteligjenca artificiale. Kam parë emisione televizive, flasin gjëra të pabesueshme. Nuk kuptojnë fare se çfarë është inteligjenca artificiale. Por është faji ynë. Pse? Sepse inteligjenca artificiale është rezultat i fundit i studimeve gjuhësore. Kemi kompjuterin e thjeshtë. Kompjuteri vërtet është një mjet i jashtëzakonshëm, por tek ai u arrit pasi u bënë studime gjuhësore që e bëjnë të mundur këtë gjë. Ju shtypni disa butona dhe dalin fjalët e fjalitë. Këto fjalë e fjali kanë prapa një studim shkencor. Inteligjenca artificiale i merr të gjitha këto fjali që janë në internet dhe i përdor në bazë të asaj që kërkojmë ne. Gjuhëtari Naom Chomsky tha se inteligjenca artificiale është një plagjiaturë universale. I merr ato që kanë thënë të tjerët dhe i përdor pa autorësi, e zhduk autorësinë. Kjo bëhet në bazë të asaj që ne e quajmë analizë semantike. Po ju them një shembull tjetër. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, pasi Hitleri pësoi disfatën e tmerrshme në Stalingrad, duhet të ngrinte moralin. Dha urdhër që të lëshohet me propagandë, ideja e armës sekrete. Filluan të flisnin kudo për këtë armën sekrete në televizione, gazeta, fjalime. Shërbimi i zbulimit ushtarak anglez çoi agjentë në të gjithë Gjermaninë që të mblidhnin informacion për armën sekrete. Punuan gjashtë muaj dhe u kthyen në Londër. Për 6 muaj në bazë të kësaj analize semantike punuan edhe gjuhëtarët. E morën armën sekrete dhe e panë në të gjitha tekstet, të thëna me gojë ose të shkruara dhe në bazë të analizës semantike dhanë të dhëna më të mira se zbuluesit që kishin qenë në vend. Kjo metodë përdoret sot në inteligjencën artificiale. Pra është gjuha në bazë të së gjithës. Pra inteligjenca është grumbullimi i trurit të njerëzve të shpërndarë në miliona botime dhe njerëzit e përdorin. Ajo po na jep mundësinë të bëhemi të mençur sa miliona njerëz të tjerë. Pra kjo është dobia e inteligjencës artificiale.”, thotë profesor Lloshi në DritareTV./K.C/dritare.net

















