
Poeti Daut Gumeni i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV tregoi se përse nuk është organizuar e djathta shqiptare këto 35 vjet. Gumeni tha se demokracia në Shqipëri ka vdekur, e vranë ata që u quajtën themelues të saj.
“E djathta jonë nuk ka qenë aq e organizuar, as përpara 1944-ës, para se të vinin këta që e sakatuan. Nuk është vetëm faji këtyre që gjetën shesh e bënë përshesh. E djathta jonë e ka të ndaluar të riorganizohet sepse e dinte mirë ai që dha porositë në plenumin e fundit, ku nxorën ca materiale si bomba tymuese. Ai tha që edhe të përndjekurve tanë politikë do t’u japim ndonjë kacidhe sa për të mbajtur frymën, me atë burg që kanë bërë. Pse e bënë kaçamak me atë ligjin 7501? Sepse këta kishin 480 mijë hektarë tokë që i hapën ca të shkretë që tani janë nëpër varre. Pse ua morën pronarëve tokat dhe i lanë pa gjë? Kur merr pushtetin dhe mendon si të shfrysh instinktet e egra të tuat se ke qenë i shtypur dikur dhe të shtypesh kush të del përpara është sëmundje, nuk është urrejtje. Këtë e kanë marrë tani edhe udhëheqës të vendeve të mëdha. Kur ti merr pushtetin në fillim kujdesesh të bësh miq, jo të bësh armiq gjithë botën.
Ne sot po hedhim një valle makabër, jo më dëshirën tonë, por nga përvoja e 50-vjetëve diktaturë. Na vunë një arkivol të kuq, të vogël atje në mes të sheshit në 1990-ën. Është demokracia, na thanë, është e vogël mos e zgjoni! Sa hapëm pak kapakun, kishte vdekur pa lindur. Edhe ne hedhim valle rrotull një arkivoli të kuq. Sepse e vranë demokracinë. E vranë ata që quhen si themelues të demokracisë. Demokracia nuk do të thotë që të ulërish dhe kush të bëjë zhurmë ta nxjerrësh jashtë. Ulërij nëse ke takat, por lëri edhe të tjerët të flasin. Por sa filluan të flasin ca të tjerë, i fshiu, filluan komplete, si këto spastrimet që bëheshin dikur çdo 5 vjet.”, thotë zoti Gumeni në DritareTV./K.C/dritare.net

















