
Metoda ushtarake për gjumë. Si të flemë në 2 minuta
Dritare.net
Një video në TikTok nga përdoruesi Justin Agustin është bërë virale, duke mbledhur afro një milion pëlqime, pasi shpjegon një teknikë gjumi që, sipas raportimeve, ndihmon 96% të njerëzve të bien në gjumë brenda dy minutash.
Teknika, e zhvilluar fillimisht për pilotët dhe ushtarët që kishin nevojë për pushim të shpejtë në situata stresuese, i atribuohet Bud Winter-it, trajner olimpik dhe ekspert i psikologjisë sportive. Ajo bazohet në relaksimin gradual të trupit dhe mendjes përmes disa hapave të thjeshtë: relaksimi i muskujve nga koka te këmbët, frymëmarrje e thellë dhe vizualizimi i skenave të qeta për të larguar mendimet shqetësuese.
Edhe pse metoda nuk është studiuar drejtpërdrejt nga shkenca, elementët e saj bazë – si frymëmarrja e thellë dhe vizualizimi – janë të mbështetur nga kërkime shkencore. Një studim i vitit 2018 tregoi se frymëmarrja e kontrolluar ndihmon në relaksim dhe përshpejton rënien në gjumë, ndërsa vizualizimi redukton mendimet e padëshiruara që shpesh mbajnë njerëzit zgjuar.
Popullariteti i madh në rrjete sociale ka bërë që shumë persona ta provojnë këtë teknikë si një mënyrë të thjeshtë dhe pa rrezik për të përmirësuar gjumin. Megjithëse nuk funksionon tek të gjithë, ekspertët e shohin si një mjet praktik për ata që vuajnë nga pagjumësia apo mendimet e shumta gjatë natës.

















