Na ndiqni edhe në

Shëndet

Jetëgjatësia/ A mjaftojnë vetëm dy ditë stërvitje në javë? Përgjigjen studiuesit

Jetëgjatësia/ A mjaftojnë vetëm dy ditë stërvitje

Aktiviteti fizik i kryer intensivisht një deri në dy ditë në javë mund të ofrojë përfitime për shëndetin dhe jetëgjatësinë në krahasim me ushtrimet më të shkurtra ditore. Kërkesa bazë? Kohëzgjatja totale e ushtrimeve fizike duhet të jetë 150 minuta në javë, me intensitet mesatar deri në të lartë, sipas udhëzimeve dhe gjetjeve të studimit të publikuara në Journal of the American Heart Association.

"Nuk është e nevojshme të ushtroheni çdo ditë. Mjafton të arrini 150 minuta aktivitet fizik të moderuar ose të fortë çdo javë, ose të përqendruar në një deri në dy ditë ose të shpërndara, për të ulur ndjeshëm rrezikun e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri ose shkaqe të tjera.”, thanë autorët e studimit.

Zbulimet janë inkurajuese për njerëzit e zënë, të cilët e kanë të vështirë të përfshijnë ushtrime të rregullta në jetën e tyre të përditshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandojnë opsionet e mëposhtme të aktivitetit fizik javor për të rriturit:

150 deri në 300 minuta ushtrime aerobike me intensitet të moderuar, ose 75 deri në 150 minuta aktivitet aerobik të fuqishëm, ose një kombinim i 2 llojeve të mësipërme të ushtrimeve.

Ekipi ekzaminoi të dhënat nga 93,409 të rritur, të moshës 37 deri në 73 vjeç (mosha mesatare: 62 vjeç), duke përdorur një bazë të dhënash të gjera biomjekësore në Mbretërinë e Bashkuar. Qëllimi ishte të hetohej lidhja midis modeleve të ndryshme të aktivitetit fizik dhe rrezikut të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe shkaqe të tjera.

Pjesëmarrësit u kategorizuan në tri grupe:

Luftëtarët e fundjavës (42%): Përfunduan shumicën e stërvitjes së tyre në një ose dy ditë.

Ata që ishin rregullisht aktivë (24%): E shpërndajnë aktivitetin e tyre gjatë gjithë javës.

Joaktivët (34%): Nuk përmbushin pragun minimal prej 150 minutash aktivitet fizik.

Rezultatet treguan se si "luftëtarët e fundjavës" dhe "ata rregullisht aktivë" kishin një rrezik dukshëm të reduktuar të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet (kardiovaskulare, kanceri, etj.) krahasuar me njerëzit joaktivë, me kusht që të kryenin 150 minuta aktivitet në javë.

Përhapja e aktivitetit gjatë disa ditëve konsiderohej tradicionalisht më e dobishme. Megjithatë, gjatë periudhës tetëvjeçare të ndjekjes, u regjistruan afërsisht 4000 vdekje, nga të cilat 17% ishin për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe 45% nga kanceri.

Më poshtë përqindjet e reduktimit të rrezikut të vdekjes sipas grupeve:

Luftëtarët e fundjavës: 32% u reduktua rreziku nga të gjitha shkaqet, 31% nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 21% nga kanceri.

Rregullisht aktivë: 26% u reduktua rreziku nga të gjitha shkaqet, 24% nga kardiovaskulare dhe 13% nga kanceri.

Nuk u gjetën dallime të rëndësishme statistikisht midis dy grupeve aktive.

"Gjetjet përforcojnë pikëpamjen se respektimi i rekomandimit bazë prej 150 minutash aktivitet fizik javor është bazë për jetëgjatësi, pavarësisht se si shpërndahet gjatë gjithë javës. Çdo formë ushtrimi mund të kontribuojë: nga ecja dhe vrapimi, te çiklizmi, ushtrimet eliptike, punët e shtëpisë, kopshtaria ose aktivitetet e kohës së lirë. Mjafton që intensiteti i tij të variojë nga mesatar në të lartë.”, vuri në dukje autori i studimit, doktor Zhi-Hao Li./K.C/dritare.net