Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Osmani: Seancën ta vazhdoni brenda 48 orëve

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Osmani: Seancën ta vazhdoni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur letrës së kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Deharit, i cili kishte kërkuar sqarime se si të vazhdohet pas ndërprerjes së seancës të martën.

Presidentja ka theksuar se ashtu siç e parasheh Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj, pra 48 orë nga 15 prilli.


Në letrën e presidentes thuhet se funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik.

“Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në letër.

Ndërkohë, presidentja ka shprehur gatishmërinë që t’i mirëpres Deharin dhe kryetarët e partive politike për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Seanca konstitutive e Kuvendit të martën dështoi pasi nuk kaloi pika e parë e rendit të ditës. Për raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve nuk votoi opozita (PDK, LDK, AAK). Ata pretendojnë se është kundërkushtetues. Ndërsa nga VV-ja insistojnë se kanë respektuar procedurat./K.C/dritare.net