Reforma territoriale, opozita bojkoton Konferencën e Kryetarëve
Dritare.net

Opozita ka bojkotuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua propozimi i Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi mazhorancën se nuk ka synuar një reformë konsensuale për përmirësimin e qeverisjes vendore, por krijimin e një harte elektorale. Sipas saj, propozimi i ri përsërit objektivat e një vendimi të mëparshëm të Kuvendit, të cilin socialistët e kishin kundërshtuar.
Tabaku tha se opozita kishte kërkuar shtyrjen me tre muaj të afatit të punës së komisionit të mëparshëm, por kërkesa ishte refuzuar. Ajo theksoi se reforma duhet të synojë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, forcimin e financave vendore dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ftoi opozitën të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm, duke shprehur keqardhje për largimin e përfaqësuesve demokratë nga mbledhja.
Balla argumentoi se procesi duhet të vijojë dhe se diskutimet për reformën territoriale duhet të përfshijnë edhe kuadrin ligjor dhe financat vendore. Ai shpresoi që opozita të reflektojë dhe të marrë pjesë në punën e komisionit.
Balla për Kavajën: Nuk e zbres vullnetin e qytetarëve në nivelin e një bastexhiu
Gjatë prononcimit për mediat, Taulant Balla iu përgjigj edhe deklaratës së kryebashkiakut demokrat të Kavajës, Fisnik Qosja, i cili është shprehur se do t’i fitojë sërish zgjedhjet në vitin 2027, edhe në rast se Kavaja bashkohet me Rrogozhinën.
“Ky vendos baste në mënyrë të paligjshme. Unë vullnetin e popullit të nderuar të Kavajës nuk e zbres në nivelin e një bastexhiu të rëndomtë”, u shpreh Balla./L.F-dritare.net