
Nga Dritan Hila
Nuk mungon javë që qeveria mos të njoftojë për një sukses të saj drejt integrimit në BE, duke cituar hapje, plotësim apo mbyllje grupkapitujsh. Më shumë sesa me përparimin real të saj, kjo ka të bëjë me propagandën, pasi pak njerëz kuptojnë cili është grupkapitulli 2 nga ai 20 apo ai 3 nga 13.
BE-ja tek ne përkthehet në disa nivele. I pari është populli i cili e do për ndonjë grant që mund të marrë, por jo me shumë shpresë, pasi edhe çfarë është dhënë deri tani, nuk është se i ka rënë gjë në dhëmbë. Mjafton të kujtohet IPARD e se ku u bënë rrush e kumbulla këto fonde. Ajo që njerëzit e thjeshtë e përkthejnë më mirë është mundësia që të emigrojnë në vendet e BE ku të kenë mundësi të punësohen dhe mos ta bëjnë si deri më sot ku herë rrinë pa letra dhe herë të tjera bëjnë vajtje ardhje çdo gjashtë muaj.
Për Edi Ramën është një sfidë personale. Ai e di që në fund të qeverisjes së tij, kur të bëhet bilanci, ajo që do mbetet nuk do jetë Rilindja Urbane, qiellgërvishtësit apo autostradat, por pikërisht anëtarësimi në BE.
Por cila është domethënia e futjes në BE për Shqipërinë, një organizatë e cila tashmë po luftohet jo vetëm nga ShBA por edhe nga forcat centrifugale brenda saj? A do ia vlejë që të jemi aty pasi kjo organizatë të reformohet në vendimmarrje, ku ka shumë të ngjarë që ne mos të kemi të drejta siç deri më sot i kanë vende më të vogla se ne? Jo më kot, duke parë problematikat e saj, shqiptarët thonë me humor që ditën që do hyjmë ne, BE do shpërbëhet.
E megjithatë ajo ka një vlerë të pashoqe, sikurse kishte vlerë çlirimi i vendit dhe renditja me fituesit në Luftën e Dytë Botërore, sikurse ka vlerë shkëputja nga komunizmi pavarësisht se më vonë se gjithë lindja. Ka vlerë sikur edhe një ditë të jemi aty, pasi është konfirmim i identitetit tonë evropian, është përkatësi jo vetëm fizike në këtë kontinent por edhe në vlera. Shumë sot po e sulmojnë BE si hapësirë e degraduar, e cila po shkon drejt degjenerimit, humbjes së vlerave, ku shumë pjesëtarë të saj po simpatizojnë udhëheqësit autoritarë. E megjithatë Evropa perëndimore mbetet pjesa më e bukur e botës jo vetëm si natyrë por edhe si shoqëri të hapura e demokratike. Jo më kot të pasurit e gjithë botës, disidentët e diktaturave apo vendeve autoritariste, duan të jetojnë në këtë hapësirë. Ndaj për ne Evropa është shumë tepër se disa kapituj. Është konfirmimi i identitetit tonë që e kërkojmë prej 2000 vjetësh./dritare.net