Jo vetëm drita, por edhe temperatura ndikon te gjumi. Ja si!
Dritare.net

Temperatura e dhomës mund të ndikojë te gjumi po aq sa drita, sugjerojnë disa studime shkencore. Studiuesit po shqyrtojnë mundësinë që ndryshimet e temperaturës gjatë mbrëmjes dhe natës të ndihmojnë në rregullimin e orës biologjike të trupit dhe të përcaktojnë kur na vjen gjumi.
Temperatura e trupit zakonisht bie kur afrohet koha e gjumit dhe vazhdon të ulet gjatë natës. Studimet kanë treguar se ndryshimi gradual i temperaturës së ambientit mund të ndikojë te melatonina, hormoni që ndihmon në përgatitjen e trupit për gjumë, si dhe te mënyra se si ndihemi kur zgjohemi.
Vëzhgimet e kryera te disa komunitete indigjene në Bolivi, Tanzani dhe Afrikën Jugore kanë ngritur hipotezën se ritmi i gjumit mund të lidhet jo vetëm me dritën, por edhe me ndryshimet natyrore të temperaturës.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të përcaktuar se sa ndikon temperatura në orën biologjike të njeriut. Deri atëherë, një dhomë gjumi jo tepër e ngrohtë mund të ndihmojë në përmirësimin e pushimit gjatë natës./dritare.net