Rama prezanton reformën “Shkalla e Meritës”: Administrata publike do të drejtohet nga më të aftët
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën e re “Shkalla e Meritës”, e cila synon të krijojë mundësi për punësimin dhe promovimin në administratën publike mbi bazën e aftësive dhe meritës. Rama bëri të ditur gjithashtu krijimin e Ministrisë së Administratës Publike dhe Mirëqeverisjes, drejtimi i së cilës do t’i besohet Adea Pirdenjit.
Gjatë prezantimit, kreu i qeverisë shpjegoi objektivat e reformës dhe rolin që do të ketë ministria e re.
Edi Rama:
“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës.
Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t'i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t'i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”.