Rama në mbledhjen me socialistët: Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari
Dritare.net

Pas dy ditësh takime me strukturat e PS dhe qeverinë në Pogradec, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshim të qasjes në qeverisje, duke vendosur në fokus problemet konkrete të qytetarëve.
“Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, prandaj drejtuesit politikë duhet t’u japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do t’u duhet t’u japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht të gjitha drejtoritë. Nëse është një grup deputetësh që fokusohen bashkë dhe i marrin në analizë bashkë, atëherë ndryshojnë gjërat”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi që ministrat të monitorojnë çdo muaj punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesit politikë dhe deputetët të jenë më pranë territorit dhe shqetësimeve të qytetarëve. Socialistët e konsiderojnë të nevojshëm një reflektim pas viteve të gjata në qeverisje, me synim që problemet e qytetarëve të përkthehen në vendimmarrje dhe rezultate konkrete./K.C/dritare.net