Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama mbledh grupin e PS: Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të ikë

Rama mbledh grupin e PS: Kush nuk voton reformën territoriale sot, le

Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar në sallën e Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare ku pritet të votohet reforma e re administrativo-territoriale.

Sipas një burimi nga grupi parlamentar i PS, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shprehur prerë ndaj deputetëve lidhur me votimin e projektligjit.

“Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të iki”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes, sipas burimit.

Votimi i reformës vjen në një moment kur mazhoranca synon të sigurojë 84 votat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve në hartën administrative të vendit. Projektligji parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke prekur 15 njësi vendore.

Brenda grupit socialist ka pasur gjithashtu kundërshtime ndaj draftit. Deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur rezerva për hartën e re territoriale, duke e bërë të rëndësishme disiplinën e votës së mazhorancës në seancën e sotme.

Ndërkohë, opozita ka kundërshtuar reformën dhe ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë ambienteve të Kuvendit. Seanca plenare e 8 tetorit ka në rend dite, ndër të tjera, edhe projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Sytë tashmë janë te seanca plenare, ku pritet të shihet nëse mazhoranca do të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për miratimin e hartës së re territoriale./L.F-dritare.net