Rama: 48 mijë biznese do të përgatiten për integrimin në BE. Ja programi!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama prezantoi Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, një nismë që synon të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përshtaten me standardet e Bashkimit Europian dhe të përgatiten për pjesëmarrje në Tregun Unik Europian.
Programi do të zbatohet me mbështetjen e ekspertizës së UNDP-së dhe parashikon informimin e 48 mijë ndërmarrjeve, krijimin e një platforme kombëtare mbështetëse, ngritjen e një rrjeti ekspertësh, organizimin e trajnimeve sektoriale, si edhe rritjen e standardizimit dhe certifikimit sipas kërkesave të BE-së.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja që bizneset shqiptare të përshtaten me ndryshimet që sjell procesi i integrimit europian.
"E ardhmja nuk ndalet, ajo vjen dhe e shkuara nuk kthehet, ajo ka ikur. Këtu jemi pikërisht për t'iu gjendur pranë bizneseve në këtë përballje me të ardhmen që po vjen me shpejtësi dhe që është anëtarësimi në Bashkimin Europian."
Kryeministri vlerësoi kompanitë që kanë investuar në inovacion dhe transformim, duke theksuar se ato që kanë zgjedhur të përshtaten me tregun janë sot në një nivel tjetër zhvillimi.
Një nga nismat që ai njoftoi ishte programi "Dyfisho biznesin tënd", i cili do të mbështesë financiarisht bizneset e vogla dhe të mesme.
"Çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm që ka gjithçka përveç financimit, do të ketë financimin."
Sipas Ramës, mbështetja do të realizohet përmes garancisë sovrane të qeverisë, linjës së kreditimit të Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve me bankat e nivelit të dytë, duke ofruar kredi me interesa të ulëta.
Ai theksoi se nuk do të ketë kufizime për projektet që konsiderohen të realizueshme.
"Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje të vogël dhe të mesme që do të paraqesë një ide bindëse dhe një plan të besueshëm, që nuk do të mbështetet financiarisht."
Rama njoftoi gjithashtu se do të vijojë mbështetja për ekosistemin e startup-eve, duke bërë të ditur se financimi për programin "Startup Albania" është dyfishuar pas rritjes së ndjeshme të numrit të aplikimeve.
Në kuadër të programit të ri, qeveria synon:
Të informojë 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin;
Të krijojë një platformë kombëtare për mbështetjen e biznesit;
Të ndërtojë një rrjet kombëtar ekspertësh dhe konsulentësh;
Të organizojë qindra trajnime sektoriale;
Të rrisë standardizimin dhe certifikimin sipas standardeve të Bashkimit Europian;
Të forcojë konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregun europian.
Në përfundim, kryeministri tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian do t'u hapë sipërmarrjeve shqiptare një treg shumë më të madh, por njëkohësisht do të kërkojë respektimin e standardeve europiane.
"Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të thotë që nuk je më një sipërmarrës vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por një sipërmarrës brenda kufijve të Bashkimit Europian. Vlejnë njësoj rregullat, por vlejnë njësoj edhe shanset", tha Rama sot./L.F-dritare.net