Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Qeveria miraton aktin e ri normativ për protestat: Organizatorët mbajnë përgjegjësi financiare për shkatërrimet

Qeveria miraton aktin e ri normativ për protestat: Organizatorët

Një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve materiale të shkaktuara gjatë tubimeve të shoqëruara me akte dhune.

Akti, i përbërë nga 16 nene, parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet të mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9.

“Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato”, përcaktohet në aktin normativ.

Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autorët e dëmtimeve nuk janë identifikuar.

Pas kompensimit, Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk arrihet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë.

Akti parashikon gjithashtu që dëmet e shkaktuara ndaj pronës shtetërore dhe publike të kërkohen në çdo rast nga personat përgjegjës.

Një tjetër parashikim është mundësia e shlyerjes së detyrimit financiar, tërësisht ose pjesërisht, përmes punës në interes publik, në bazë të një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.

Në aktin normativ përcaktohet se askush nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.

Vendimi i qeverisë vjen pasi Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit dy aktet normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.

Ndryshe nga akti i mëparshëm, akti i ri nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por përcakton një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve./dritare.net