A po shuhet protesta? Çfarë thonë qytetarët!
Dritare.net

Dhuna, përplasjet me policinë dhe fjalori fyes janë disa nga arsyet që, sipas qytetarëve të intervistuar nga Dritare TV, kanë ndikuar në pjesëmarrjen në protestat e ditëve të fundit në Tiranë. Disa prej tyre shprehen se i mbështesin protestat paqësore dhe kërkesat e qytetarëve, por kundërshtojnë dhunën ndaj institucioneve dhe pronës private.
Një prej qytetarëve të intervistuar thotë se pakënaqësitë në shoqëri janë reale, duke përmendur pensionet dhe probleme të tjera me të cilat përballen qytetarët, por sipas tij, kjo nuk e justifikon dhunën.
“Unë bashkë me shoqen do të dilja me gjithë qejf, sepse edhe unë kam problemet e mia dhe pakënaqësitë, qoftë për pensionet, qoftë për probleme të tjera që ka shoqëria jonë sot”, shprehet ai, duke theksuar se do të merrte pjesë në një protestë paqësore.
Sipas tij, dhuna nxitet nga segmente të partive politike, ndërsa kritikon mungesën e distancimit të tyre nga aktet e dhunshme. Ai e lidh këtë situatë edhe me përplasjet mes politikanëve në Kuvend, të cilat, sipas tij, reflektohen më pas në rrugë.
Qytetari thotë se studentët që janë distancuar publikisht nga dhuna kanë treguar një qëndrim që mund të fitojë më shumë mbështetje nga qytetarët.
Një tjetër i intervistuar tregon se kishte marrë pjesë në protestë në ditët e para, por më pas vendosi të mos kthehej më. Si arsye përmend rrëmujën dhe gjuhën fyese që, sipas tij, përdorej nga disa prej pjesëmarrësve.
“Një gjuhë e ashpër, fyese, ofendime kot më kot. Ka edhe njerëz shumë të mirë atje, por ka edhe shumë të painformuar. Kjo më detyroi të largohesha”, thotë ai.
Qytetarët shprehen gjithashtu se dëmet materiale dhe bllokimi i lëvizjes kanë ndikuar në jetën e përditshme. Sipas tyre, protesta nuk duhet të cenojë as institucionet dhe as bizneset private, ndërsa policia duhet të veprojë me maturi gjatë përballjes me protestuesit.
Në intervistat për Dritare TV, disa qytetarë shprehen se nuk kanë marrë pjesë në protestë, por mbështesin të drejtën e secilit për të shprehur pakënaqësitë. Ata theksojnë se kërkesat duhet të bëhen përmes protestave paqësore dhe pa u përdorur nga interesat politike./dritare.net