Poliklinikë falas në Bologna, mjekët pensionistë bashkojnë forcat për të ndihmuar personat në nevojë
Dritare.net

Një poliklinikë falas do të hapet së shpejti në lagjen Pilastro të Bolonjës, falë një nisme të shoqatës “Buoni Dottori”, e përbërë nga ish-drejtues dhe mjekë të spitaleve në pension, të cilët kanë vendosur të vënë pa pagesë përvojën e tyre në shërbim të personave më të brishtë dhe në nevojë.
Nisma është bërë e mundur falë angazhimit të presidentit të shoqatës, Pietro Cortelli, dhe anëtarëve themelues Claudio Borghi, Eugenio Brunocilla, Massimo P. Di Simone, Gaetano Domenico Gargiulo, Gilberto Poggioli, Eleonora Porcu, Livio Presutti, Mario Taffurelli dhe Pierluigi Viale.
Projekti ka marrë mbështetjen edhe të Bashkisë së Bolonjës, e cila ka vënë në dispozicion ambientet për poliklinikën dhe ka ndërtuar një bashkëpunim me shërbimet sociale dhe organizatat e sektorit të tretë.
Nisma synon të ndihmojë veçanërisht personat më të pambrojtur, duke ofruar shërbime mjekësore pa pagesë dhe duke vënë në dispozicion eksperiencën e profesionistëve me vite të tëra në sistemin shëndetësor.
Sipas nismëtarëve, vullnetarizmi mund të plotësojë dhe forcojë shërbimin shëndetësor publik, por nuk mund ta zëvendësojë atë. Në këtë kuadër, kërkohet financim i mjaftueshëm për sistemin shëndetësor, veçanërisht në një kohë kur, sipas tyre, më shumë se 6 milionë persona në Itali nuk kanë mundësi të marrin kujdes shëndetësor.
Mesazhi i kësaj nisme është i qartë: shëndetësia publike, universale dhe cilësore duhet të mbrohet dhe të forcohet përmes investimeve në personel, struktura dhe trajtime.
“Shëndeti është një e drejtë që duhet t’u garantohet të gjithëve, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike”, është mesazhi që shoqëron këtë nismë./L.F-dritare.net