Plumbi i Artë! SPAK kërkon 302 vite burg për 15 të pandehur!
Dritare.net

SPAK ka kërkuar në total 302 vite burg për 15 personazhe të njohur të botës së krimit, të pandehur në dosjen “Plumbi i Artë”. Prokuroria e Posaçme arriti të zbardhë 27 ngjarje kriminale, nga vrasjet me paramendim tek vjedhjet e dhuna, pas bashkëpunimit të frytshëm të disa të penduarve të drejtësisë, me në krye 36-vjeçarin Nuredin Dumani, për të cilin akuza ka kërkuar në total 10 vite burg. Për dy të penduar të tjerë të drejtësisë, për Erjon Alibejn është kërkuar 15 vite burg dhe 13 vite burg për Skerdi Tasen.
Dënimet më të larta, nga 35 vite burg, SPAK i ka kërkuar për Henrik Hoxhajn dhe Petrit Doçin. Për Enver Divën, Besian Xhixhën dhe Altin Ndocin janë kërkuar nga 25 vite burg, ndërsa për Asllan Plakun, Agron Doçin, Fatos Gosën dhe Xhulian Hoxhën nga 20 vite burg. Për Ardian Uzunin dhe Albert Pashajn, prokuroria ka kërkuar nga 15 vite burg, ndërsa për Gentian Sharrën 9 vite burg.
Të pandehurit akuzohen për vepra penale të kryera në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal. Rrëfimet e të penduarve ndihmuan hetuesit të rindërtonin një sërë ngjarjesh të rënda në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan, duke zbuluar lidhjet mes porositësve dhe ekzekutorëve.
Mes ngjarjeve të zbardhura janë vrasjet e Bujar Çelës, Emiljano Ramazanit, Regis Runajt, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Këto krime u regjistruan në Elbasan dhe Durrës gjatë vitit 2020.
Hetimet hodhën dritë edhe mbi vrasjet e Andi Zylyfit, Agim Boriçit dhe Fatmira (Habili) Dedajt, si dhe mbi tentativa për vrasje, plagosje e ngjarje të tjera kriminale.
Një prej dëshmive të Nuredin Dumanit lidhej me planin për vrasjen e Indrit Dokles. Sipas rrëfimit të tij para hetuesve, Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro për eliminimin e Dokles, por ai nuk e kishte kryer këtë vrasje, pasi e konsideronte shumë të vështirë.
Në kuadër të hetimeve për dosjen “Plumbi i Artë”, në kërkim u shpallën edhe emra të njohur të botës së krimit, mes tyre Ervis Martinaj, Talo Çela, Suel Çela dhe Alban Bengasi.
Pretenca e SPAK
Nuredin Dumani 10 vite burg
Erjon Alibej 15 vite burg
Skerdi Tase 13 vite burg
Henrik Hoxhaj 35 vite burg
Enver Diva 25 vite burg
Besian Xhixha 25 vite burg
Asllan Plaku 20 vite burg
Ardian Uzuni 15 vite burg
Gentian Sharra 9 vite burg
Agron Doçi 20 vite burg
Petrit Doçi 35 vite burg
Fatos Gosa 20 vite burg
Xhulian Hoxha 20 vite burg
Albert Pashaj 15 vite burg
Altin Ndoci 25 vite burg
Totali 302 vite burg