Patriotët e vërtetë japin gjithçka për atdheun dhe nuk marrin asgjë prej tij si përfitim!
Dritare.net

Nga Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti
Patriotizmi nuk është një fjalë që shqiptohet në ditë festash, as një flamur që valëvitet vetëm disa ditë shënuara të vitit. Ai është një qëndrim moral, një përgjegjësi dhe një mënyrë të jetuari. Patriotizëm do të thotë dashuri për Zotin, Atdheun dhe Familjen. Do të thotë të kuptosh se ekzistojnë vlera më të mëdha se interesi personal dhe se njeriu nuk mund ta ndërtojë dinjitetin e vet duke cenuar atë që u përket të gjithëve.
Patriotët e vërtetë japin gjithçka për atdheun dhe nuk marrin asgjë prej tij si përfitim. Kjo është prova më e madhe e dashurisë për vendin: të kontribuosh pa e kthyer kontributin në shkëmbim interesi, të shërbesh pa kërkuar shpërblim dhe të sakrifikosh pa e përdorur sakrificën si kapital për përfitime personale.
Gjergj Kastrioti luftoi për lirinë e vendit dhe për besimin e tij. Heronjtë e Shqipërisë dhanë jetën për një të ardhme që nuk do ta përjetonin vetë. Ismail Qemali punoi për pavarësinë dhe, në momentin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë, shprehu një dëshirë që përmbledh të gjithë madhështinë e atij ideali:
“S’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lyp të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth flamurin e ta bëj të valvitet i Lirë.”
Në këtë dëshirë nuk ka kërkesë për pushtet, pasuri apo privilegj. Ka vetëm përkushtim. Njeriu që sapo kishte përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare nuk kërkonte të përfitonte prej atdheut të lirë, por shprehte gatishmërinë për të dhënë edhe jetën për të. Ky është ndryshimi thelbësor midis patriotizmit dhe interesit personal: i pari pyet se çfarë mund të bëj për vendin tim, ndërsa i dyti pyet se çfarë mund të marr prej tij.
Historia shqiptare është e mbushur me njerëz që e dëshmuan këtë përkushtim. Jeronim De Rada sakrifikoi pasuri dhe siguri personale për kauzën kombëtare. Rilindësit shqiptarë punuan, shkruan, organizuan dhe sakrifikuan për një Shqipëri që ende nuk ekzistonte si shtet i pavarur. Shumë prej tyre nuk e panë të realizuar ëndrrën për të cilën jetuan. Ata nuk e dinin nëse përpjekjet e tyre do të sillnin sukses, por e dinin se pa përpjekje nuk do të kishte të ardhme.
Ata nuk e deshën Shqipërinë sepse ajo u ofronte privilegje. E deshën edhe kur ishte e pushtuar, e varfër, e copëtuar dhe pa institucione shtetërore. E deshën kur të qenët shqiptar mund të ishte një barrë, kur të shkruaje në gjuhën shqipe ishte akt që kërkonte guxim dhe kur të punoje për çështjen kombëtare do të thoshte të sakrifikoje qetësinë, pasurinë, madje edhe jetën.
Kësisoj, patriotizmi nuk duhet ngatërruar me përfitimin nga atdheu. Ai apo ajo që e përdor vendin si pronë personale, që e trajton institucionin publik si burim pasurimi dhe detyrën shtetërore si mundësi për të favorizuar veten apo rrethin e tij, nuk po i shërben atdheut. Ai apo ajo po e vendos interesin e vet mbi interesin e përbashkët. Dashuria për Shqipërinë nuk matet me fjalët që thuhen për të, por me ndershmërinë me të cilën punohet për të.
Për Zotin, Atdheun dhe Familjen, ky është një nga misionet më fisnike të njeriut. Zoti është ndërgjegjja përballë së cilës njeriu nuk mund të fshihet pas fasadave. Atdheu është trashëgimia që na është besuar dhe përgjegjësia që duhet t'ua përcjellim brezave. Familja është vendi ku karakteri provohet çdo ditë, larg duartrokitjeve dhe syve të publikut. Nuk mund të pretendosh se e do atdheun, ndërsa shkatërron të ardhmen e familjeve të tjera përmes abuzimit dhe padrejtësisë.
Zoti i di paudhësitë e secilit, historia i regjistron veprat e njerëzve dhe familjet jetojnë me pasojat e zgjedhjeve të tyre. Askush nuk mund ta mashtrojë përgjithmonë ndërgjegjen, historinë dhe kujtesën kolektive.
Sot, ata që flasin për idealet, ndershmërinë dhe interesin kombëtar shpesh etiketohen si idealistë, utopistë apo njerëz që nuk kuptojnë realitetin. Në një shoqëri ku interesi i ngushtë shpesh paraqitet si zgjuarsi dhe kompromisi me parimet si aftësi për të mbijetuar, të mbrosh idealet mund të duket si një akt naiviteti. Por historia dëshmon se ndryshimet e mëdha nuk kanë nisur nga ata që janë pajtuar me gjendjen ekzistuese. Kanë nisur nga njerëz që kanë besuar se e drejta duhet mbrojtur edhe kur është e vështirë, se dinjiteti nuk negociohet dhe se e ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë.
Patriotët mund të jenë të paktë, mund të mos kenë forcë, mund të mos kenë pasuri dhe mund të mos jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Por një shoqëri nuk matet vetëm me ata që kanë zë, ndikim apo privilegje. Ajo matet edhe me njerëzit që punojnë ndershmërisht, që refuzojnë të përfitojnë në kurriz të të tjerëve, që mbrojnë interesin publik dhe që nuk e humbasin besimin se Shqipëria mund të bëhet një vend më i mirë.
Janë pikërisht këta njerëz që duhet të bëhen shembull, jo sepse janë të pagabueshëm, por sepse zgjedhin të mos e shesin ndërgjegjen. Një vend nuk ndryshon vetëm nga heronjtë e së kaluarës. Ai ndryshon edhe nga qytetarët e së tashmes që vendosin të mos bëhen pjesë e së keqes, të mos heshtin përballë padrejtësisë dhe të mos e trajtojnë Shqipërinë si një mundësi për t'u pasuruar, por si një përgjegjësi për t'u përmirësuar.
Më 28 Nëntor, Dita e Flamurit, le të kujtojmë se flamuri nuk është vetëm simbol i një shteti të pavarur. Ai është kujtesa e sakrificave, amaneti i brezave dhe detyrimi ynë ndaj së ardhmes. Nuk mjafton ta puthim flamurin në një ditë feste; duhet të sillemi çdo ditë në mënyrë të denjë për të.
Patriotët e vërtetë japin gjithçka për atdheun dhe nuk marrin asgjë prej tij si përfitim. Sepse ata e dinë se Shqipëria nuk është pronë e askujt. Është shtëpia e përbashkët e të gjithëve dhe trashëgimia që duhet t'u lëmë atyre që vijnë pas nesh.
Flamuri nuk mund të përdoret si mbulesë për dhunën dhe as si justifikim për shkatërrimin. Ata që, në emër të patriotizmit, organizojnë apo nxisin protesta të dhunshme, djegin, thyejnë dhe dhunojnë pronën publike e private, bien në kundërshtim me vetë idealet që pretendojnë se mbrojnë. Prona publike është pasuri e përbashkët, e ndërtuar me mundin dhe taksat e qytetarëve, ndërsa prona private është e drejta dhe siguria e individit. Të dëmtosh të dyja do të thotë të dëmtosh vetë shoqërinë. Flamuri shqiptar nuk është simbol i urrejtjes, hakmarrjes apo shkatërrimit; ai është simbol i lirisë, dinjitetit dhe bashkimit kombëtar. Patriotizmi nuk provohet duke thyer dyer, duke djegur institucione apo duke terrorizuar qytetarët, por duke mbrojtur ligjin, lirinë e të tjerëve dhe të mirën e përbashkët. Protesta është një e drejtë demokratike, por dhuna nuk është ushtrim i kësaj të drejte. Nuk mund të mbrosh Shqipërinë duke shkatërruar atë që u përket shqiptarëve.
Alternativa e vetme ndaj dhunës është guximi për të ndërtuar. Ata që thonë se duan një Shqipëri më të mirë duhet të jenë të parët që sjellin ide të reja, zgjidhje konkrete dhe modele të reja përgjegjësie. Nuk mjafton të kundërshtosh atë që ekziston; kjo është hipokrizi. Duhet të kesh vizionin dhe aftësinë për të propozuar atë që duhet të vijë. Nuk mjafton të kërkosh ndryshim duke rrëzuar, thyer apo shkatërruar; duhet të dëshmosh se di të krijosh, të bashkosh dhe të ndërtosh. Shqipëria ka nevojë për mendje krijuese, për qytetarë me integritet, për ide që sfidojnë të vjetrën dhe për energji që shndërrohet në zhvillim. Flamuri nuk duhet të ngrihet mbi rrënojat e institucioneve dhe pronës së qytetarëve, por mbi arritjet e një shoqërie që mendon, punon dhe përparon. Patriotizmi i së ardhmes nuk do të matet me atë që shkatërrojmë në emër të ndryshimit, por me atë që jemi të aftë të krijojmë për Shqipërinë.
Rroftë Shqipëria!
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Zoti e bekoftë vendin tonë të bukur e të mrekullueshëm dhe popullin shqiptar, të munduar ndër epoka por me shpirt liberator, të lirë e me dinjitet të palëkundur./dritare.net