
Vlonjatët mbështesin Ramën për shef të NATO-s
Dritare.net
I dashur Bajden,
Është hera e parë që shkruhemi, por ti me siguri ke dëgjuar për ne. Në mos ti, Klintoni na ka për zemër qysh se pa atë kronikën kur iu binim policëve të Saliut me karrige kokës nga tarraca e Hotel Sazanit në ‘97-ën. Që atëhere nuk i dalin nga zemra shqiptarët.
Besoj ke dëgjuar edhe së fundmi kur presidenti ynë kërkoi ta gjuajë me raketa tek Mali me Gropa. Po mirë bëre që nuk e gjuajte, se nga rakia e kishte ai se e ka filluar vonë atë të uruar.
Tani të vijmë te ajo që na ha nga brënda:
Kemi dëgjuar që këtë djalin tonë do ta bëni shef të NATO-s. Ky është një nder i madh për ne se e kemi nip. Me këtë rast nderon edhe Durrësin nga ka babanë, se edhe atyre asnjë nder nuk ju është bërë deri më sot. Helbete janë popull i urtë. Mirë bëre.
Por me këtë rast duhet të sqarojmë nja dy kushte.
Së pari nashi e mbrapa nuk pranojmë refugjatë nga Afganistani, Siria apo Iraku. Duam vetëm ukrainase. Edhe ukrainas sill se i vëmë të na ruajnë delet se na kanë ikur djemtë në shtëpi bari në Spanjë. Këtë punë do ia u japim përkohësisht sa t’ju mësojmë skafet ti nisin.
Së dyti, nuk mbajmë përgjegjësi për luftërat që do hapi ky djali ynë. Se nuk kemi nge të mbajmë me bukë sa vënde pushtoni. Po deshe kumandarë të japim sa të duash. Edhe nizamë, po mbete keq. Ama bukë nuk kemi të japim.
Së treti, vëndi i kryetarit të PS të mbetet bosh derisa të gjejmë ndonjë që ja vlen, meqë Andi Bushati nuk pranon të heqi dorë nga gazetaria dhe Sajmir Tahirin na e futët në burg.
Kaq sa për fillim. Më vonë kemi punë me djalin tonë, por nuk do ishte keq që të filloni të na planifikoni nga një rrogë 2.000€ në muaj për familje, se na ka lodhur shumë tranzicioni dhe na kanë mbirë gurët në veshka nga troshitjet e skafeve./dritare.net

















